Maratona ‘Një hap për Durrësin’ synon të kthejë gjallërinë pas tërmetit

Nga Exit News
Maratona ‘Një hap për Durrësin’ synon të kthejë gjallërinë pas tërmetit

Ish-kampionja e notit Deborah Keçi i bëri sot apel qytetarëve t’i bashkohen maratonës sensibilizuese “Një hap për Durrësin”, e cila do të zhvillohet më 23 shkurt me synimin për t’i kthyer qytetit gjallërinë e humbur nga tërmeti i 26 nëntorit.

E ftuar në studion e Euronews, Deborah tha se dëshiron që përmes maratonës të grumbullojë kontribute për rikonstruktimin e shkollës “Njazi Mastori” në Sukth, por që më së shumti dëshiron që maratona të ndikojë për mirë në atmosferën e qytetit.

“Prej shumë kohësh kisha dëshirë të realizoja një aktivitet sportiv për qytetin tim […] ky qytet që më ka formuar dhe më ka bërë një vajzë të fortë dhe një vajzë që këmbëngul dhe që i vë qëllime vetes, duke punuar fort për t’i arritur ato. Tani është koha që t’ia kthej pas këtë dhuratë.”

Maratona do të nisë prej sheshit “Liria” në Durrës, më 23 shkurt. Ajo do jetë rreth 5 kilometra e gjatë dhe do të përshkrojë rrugëve të qytetit rreth mureve të kalasë, bulevardit në bregdet, apo dhe amfiteatrit.

“Qytetarëve u them që ta shfrytëzojnë këtë datë edhe për turizëm, ta vizitojnë dhe promovojmë qytetin. […] Të hedhim një hap përpara me vetëbesim dhe me shpresë” – tha Deborah, 27-vjeçe, ish-notare e Teutës, e cila aktualisht punon pranë Drejtorisë së Sporteve në Bashkinë Tiranë.

Regjistrimi në maratonë kushton 10 euro dhe do të jetë i hapur deri më datë 20 shkurt. Më shumë informacion mund të lexoni këtu.

Tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi 51 viktima, 26 prej të cilëve ne Durrës. Rreth 17 mijë persona u shpërngulën nga banesat e tyre, ku rreth 37,200 u dëmtuan vetëm në qarkun e Durrësit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>