Me mbylljen e procesit të vetingut për magjistratët kandidatë për Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor, Kryeprokurorja e Përkohshme Arta Marku dhe Kryetari i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganori kanë nisur procedurat për formimin e dy këshillëve.
Përmes një njoftimi publik, Kryeprokurorja Marku ka lajmëruar se Mbledhja e Përgjithshme e Prokurorëve gjatë së cilës do të zgjidhen gjashtë anëtarët e KLP-së do të zhvillohet më 11 dhjetor. Ndërsa Kryegjyqtari Zaganjori ka njoftuar Mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve më 12 dhjetor.
Pjesëmarrja e prokurorëve dhe gjyqtarëve në këto mbledhje përbën detyrim ligjor.
Që mbledhja të konsiderohet e vlefshme duhet që në të të marrin pjesë më shumë se gjysma e magjistratëve.
Kandidatët fitues për KLP e KLGJ do të jenë ata prokurorë e gjyqtarë që marrin shumicën e votive nga kolegët e tyre.
Lista përfundimtare e kandidatëve për Këshillin e Lartë të Prokurorisë është:
Për tre vende për prokurorët e shkallës së parë kandidojnë Dritan Prençi (Kukës, përkohësisht i emëruar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë) Vate Staka (Shkodër), Arta Marku (Shkodër), Antoneta Sevdari (Tiranë) dhe Besnik Muçi (Prokuroria e Krimeve të Rënda);
Për dy vende për prokurorët e apelit kandidojnë: Arben Dollapaj (Shkodër) dhe Besnik Cani (Elbasan);
Për një vend nga Prokuroria e Përgjithshme kandidojnë: Anila Leka dhe Kostaq Beluri.
Lista përfundimtare e kandidatëve për Këshillin e Lartë Gjyqësor është:
Për tre vende për gjyqtarët e shkallës së parë kandidojnë: Manjola Xhaxho (Tiranë), Marçela Shehu (Kurbin), Alma Brati (Tiranë), Astrit Faqolli (Tiranë), Brunilda Kadi(Tiranë) dhe Dritan Hallunaj (Gjykata e Krimeve të Rënda);
Për dy vende për gjyqtarët e apelit kandidojnë: Ilir Toska (Tiranë), Nertina Kosova (Apeli i Krimeve të Rënda) dhe Brikena Ukperaj (Vlorë);
Për një vend për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë kandidon Medi Bici (Tiranë).