Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis tha të mërkurën në Parlament se qeveria greke së shpejti do të dorëzojë planin për zgjerimin e kufijve detar nga 6 në 12 milje në detin e Jonit, raporton gazeta greke Ekathimerini. Mitsotakis tha se Greqia do të ushtrojë një “të drejtë sovrane të patjetërsueshme” në përputhje me nenin 3 të Konventës për Ligjin e Detit.
Ai tha se ministri i jashtëm grek do të vizitojë Shqipërinë për të diskutuar mbi marrëveshjen. Ndërkohë, dje në darkë minsitri i jashtëm grek njoftoi në Facebook se kishte biseduar në telefon me Kryeministrin Rama për çështjet e rajonit.
Kryeministri grek tha se Greqia në të ardhmen mund të zgjerojë ujërat e saj territoriale në zona të tjera detare, në përputhje me Konventën për Ligjin e Detit dhe zbatimin e vijës mesatare, ku distanca midis dy brigjeve është më e vogël se 24 milje.
Mitsotakis foli në Parlament për marrëveshjen e kufijve detarë të Greqisë me Egjiptin dhe me Italinë. Të dy marrëveshjet do të votohen, ditën e enjte. Duke folur për marrëveshjet, ai tha “ato kanë rëndësi të madhe historike dhe politike”.