Marrëveshja e detit — Përse Presidenti Meta nuk jep autorizimin

Marrëveshja e detit — Përse Presidenti Meta nuk jep autorizimin

Pak ditë më parë, Presidenti Meta ktheu mbrapsht kërkesën e Ministrit të Jashtëm Bushati për dhënien e plotfuqishmërinë për negociatat me Greqinë dhe kërkoi plotësimin e dokumenteve të munguara.

Në letrën e përgjigjes, e cila është bërë publike sot, Presidenti thekson dy shkelje ku bazohet vendimi i tij: 1) kërkesa e ministrisë është e paqartë, nuk përmban elementët konkretë për të cilët grupi negociator do të negociojë, dhe  2) kryenegociatori dhe grupi negociator nuk janë përcaktuar me emra.

1. Paqartësia e kërkesës dhe mungesa e relacioneve shoqëruese

Në përgjigje e Presidentit shkruhet:

“Kërkesa nuk përkufizon qartë objektin e negociatave për të  cilin kërkohet Autorizim për Plotfuqi.

Vetëm duke përcaktuar objektin e saktë të negociimit, grupi negociator legjitimohet për të zhvilluar diskutime brenda objektit të tij.”

Më tej Presidenti argumenton se kërkesa e Ministrisë së Jashtme “nuk përmban asnjë dokument shoqërues apo shpjegues.”

Ligji 43/2016 “Për  marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, në nenin 6,  parashikon qartësisht se autoriteti kompetent për lëshimin e plotfuqisë kur marrëveshja ndërkombëtare që negociohet dhe/ose nënshkruhet është në emër të Republikës së Shqipërisë, është Ministri i Punëve të Jashtme, por pas autorizimit të dhënë nga Presidenti i Republikës.

Pika c e po të njëjtit nen parashikon se për marrjen e autorizimit nga Presidenti i Republikës, Ministria e Punëve të Jashtme duhet t’i drejtohet presidencës me “tekstin e projektmarrëveshjes dhe një relacion shpjegues”.

Ministria e Punëve të Jashtme nuk e ka plotësuar këtë kusht duke dërguar në presidencë kërkesën pa e shoqëruar me tekstin e projekt-marrëveshjes dhe me relacionin shoqërues.

2. Mospërcaktimi i kryenegociatorit dhe grupit negociator

Ministria e Jashtme në kërkesën për autorizim nuk ka përcaktuar emrin e personit që do të udhëheqë grupin negociator. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010, i cili rrëzoi marrëveshjen e firmosur ndërmjet qeverisë shqiptare dhe greke në vitin 2009, parashikohet se:

Kërkesa për pajisjen me autorizim, duhet të shoqërohet detyrimisht me listën nominale të emrave konkret  të grupit negociator, shoqëruar me CV përkatëse, që do të krijonte mundësinë e vlerësimit të përmbushjes së kritereve të integritetit moral dhe profesional që krijojnë besimin tek Presidenti i Republikës, për t’i dhënë besimin që ta përfaqësojnë atë në këto negociata“.

Për këto shkelje ligjore, Presidenti Meta ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme informacion dhe dokumente shtesë për të plotësuar mangësitë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>