Qeveria ka miratuar me akt normativ, marrëveshjen me kompaninë Pfizer për vaksinat anti-COVID, por ka vendosur që ajo të mos bëhet publike “për shkak të sekretit tregtar dhe kërkesës” së kompanisë.
“Marrëveshja për prodhimin dhe furnizimin, nga dhe ndërmjet Pfizer Export BV dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik, për shkak të sekretit tregtar dhe kërkesës së shprehur në marrëveshje nga Pfizer Export BV nuk do të publikohet në asnjë website të institucioneve apo në Fletoren Zyrtare.”, shkruhet në Fletoren Zyrtare.
Sipas aktit normativ të botuar në fletoren zyrtare, kompania Pfizer ka kërkuar që detajet e marrëveshjes të mbesin sekrete.
Ligji “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” parashikon se sekreti tregtar është:
“Një e dhënë e vlerësuar nga shoqëria si informacion i brendshëm apo dokument, që shoqëria mbron në mënyra të përshtatshme, i cili, nëse do t’u përhapej personave të paautorizuar, do të shkaktonte dëm të konsiderueshëm të interesave tregtarë të shoqërisë.”
Kompania Pfizer u ankua në dhjetor se një politikane belge publikoi çmimin me të cilën qeveria e Belgjikës kishte rënë dakord të blinte pesë milionë doza, sipas Reuters.
Kompania u shpreh se publikimi thyente rregullat e konfidencialitetit të cilat janë mesa duket edhe në marrëveshjen me Shqipërinë.
Bazuar në vendim, nuk do të paguhet as tarifë doganore për vaksinat anti-Covid dhe ato me një kod specik që hyjnë në vend.
Në fillim të vitit Shqipëria siguroi 500 mijë doza të vaksinës anti-Covid prodhuar nga kompanitë Pfizer dhe BioNTech.
Më 11 janar nisi dhe procesi i vaksinimit në vendin tonë me 975 doza të cilat iu dhuruan Shqipërisë nga një shtet anonim.
Kryeministri Rama ka pretenduar se vendi që i dha Shqipërisë vaksinën e ka bërë si një favor personal ndaj tij, duke kërkuar në këmbim që të ngelej sekret mes tyre.
Gjermania, ndonëse është vendi ku janë prodhur vaksinat, nuk është vendi që i ka dhuruar Shqipërisë vaksinat.