Masat kundër koronavirusit, qeveria kërkon besim, opozita seriozitet

Nga Exit News
Masat kundër koronavirusit, qeveria kërkon besim, opozita seriozitet

Pas situatës në Itali ku janë konfirmuar mbi 100 raste me koronavirus, Ministria e Shëndetësisë deklaroi se ka marrë të gjitha masat e nevojshme dhe kërkoi që qytetarët t’i besojnë strukturave mjekësore.

Por opozita kërkoi që angazhimi i qeverisë të jetë serioz, duke filluar nga vendosja e detyrueshme e ekzaminimit minimal në pikat kufitare, matjes së temperaturës.

Në një deklaratë për shtyp të shpërndarë nga Ministria e Shëndetësisë, thuhet se task-forca e ngritur për koronavirusin ka vendosur:

  • spitalin që në rast nevoje do të përdoret për karantinë
  • të përforcojë masat në pikat kufitare me dyfishim personeli
  • të përforcojë sistemin e kontrollit dhe gjurmimit të rasteve
  • të sigurojë sasi të shtuar mjetesh mbrojtëse për personelin shëndetësor.

Në pikat kufitare, deri më sot, autoritetet shqiptare e kanë bazuar kontrollin te vetëdeklarimi i udhëtarëve. Përveç vetëdeklarimit, atyre u kërkohej që “në rast shenjash klinke apo kontaktit me raste të konfirmuara nga vendet e prekura, të telefonojnë numrin e Urgjencës Kombëtare 127, pa iu drejtuar menjëherë spitaleve”.

Mirëpo në shumicën e rasteve qytetarët nuk e kuptojnë nëse janë të prekur apo jo, pasi simptomat e koronavirusit janë të ngjashme me ato të një gripi të zakonshëm. (Lexo këtu rreth koronavirusit) dhe përgjithësisht mund të duhen deri në 2 javë që virusi të shfaqet pas prekjes.

Në Aeroportin e Rinasit nuk ka pasur as një masë minimale ekzaminimi siç mund të jetë matja e temperaturës. Kjo masë u vu në zbatim gjatë ditës së sotme. Duke folur për News24, pergjegjësi i kontrolleve shëndetesore në Aeroportin e Rinasit tha se deri në drekë ishin kontrolluar mbi 480 pasagjerë pa asnjë rast të dyshuar.

Të shtunën, ish-deputeti demokrat Agron Shehaj i kërkoi qeverisë të marrë masa urgjente duke vendosur kontrollin e detyrueshëm të temperatures për ata që hyjnë në Shqipëri.

“Është masë minimale e domosdoshme. […] Jemi vend shumë i papërgatitur për fatkeqësi natyrore dhe epidemi, kemi shumë pak burime dhe infrastrukturë të varfër shëndetësore, ndaj duhet të tregohemi më të kujdesshëm se të gjithë”.

Përforcim të masave kërkoi të dielën edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.  Drejtuesja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, reagoi duke siguruar qytetarët se “institucionet shëndetësore janë në krye të detyrës” dhe “janë marrë masat e duhura”. Ajo u kërkoi qytetarëve të kenë besim te strukturat shëndetësore.

“Koronavirusi është virus si gripi, ndaj duhet të mbrohemi siç mbrohemi prej gripit. Ka rëndësi të zbatojmë rregullat e higjienës personale sepse është e vërtete që institucionet po bëjnë punën e tyre por edhe vetë qytetarët mund të mbrohen duke larë rregullisht duart dhe duke mos përhapur spërklat [me tështitje], që janë mënyra e transmetimit të këtij virusi”.

Bino theksoi se “karantina nuk është vendi ku trajtohen të sëmurët” por “vendi për personat e shëndoshë të dyshuar ose që kanë patur kontakte me persona të sëmurë”.

Prej disa ditësh opozita e ka kritikuar qeverinë për mungesë angazhimi në parandalimin e përhapjes së koronavirusit në Shqipëri. Ndër kritikat kryesore mbetet propaganda.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>