Mashtrimi me skicat e Teatrit: e vërteta është beton dhe qendra tregtare

Mashtrimi me skicat e Teatrit: e vërteta është beton dhe qendra tregtare

Ndërtimi i një godine të re për Teatrin Kombëtar është vetëm preteks dhe mbulesë për projektin më të madh, deri tani, të betonizimit të qendrës së Tiranës, një bllok masiv ndërtesash, shumica e ndërtuar mbi tokë publike që do të tjetërsohet në favor të privatit. Ndërtesat do të shërbejnë si qendra tregtare, qendra biznesi, dhe banesash.

Exit.al ka siguruar planin e ndërtimeve në këtë zonë.

Praktikisht, e gjithë zona nga rruga para Ministrisë së Brendëshme deri tek rruga para godinës së vjetër të PD-së, pra përballë qendrës Toptani do të ndërtohet, duke krijuar kështu, së bashku me ndërtesat ekzistuese Torre Drini, Gjergji Center dhe Eurocol, një bllok të dendur ndërtesash të larta. Projekti parashikon prishjen e ish-godinës së PD-së, madje edhe te ndërtesës së vjetër të njohur si Sarajet (edhe pse pronarët e kësaj ndërtese po i qëndrojnë ende trysnisë së Kryeministrit Rama përmes ndërtuesit).

Exit.al ka mësuar gjithashtu se do të jenë tre firma që do të zhvillojnë të gjithë bllokun: Fusha, Kastrati dhe Edil-Al. Ndërtuesi kryesori do të jetë Fusha shpk, që do të jetë edhe ndërtuesi i godinës së teatrit në shkëmbim të tokës publike.

Projekti i godinës së teatrit që ka bërë publike dyshja Rama-Veliaj është keqinformues. Duke paraqitur vetëm maketin e ndërtesës së re të teatrit, mbahen të fshehura të gjitha ndërtimet përqark saj.

Maketi i paraqitur fsheh faktin se më shumë se gjysma e territorit të tanishëm në pronësi të teatrit dhe Ministrisë së Kulturës do të tjetërsohet në favor të privatit për ndërtimin e disa godinave të larta. Projekti i paraqitur përfshin rrugica për kalimtarë dhe pjesë të gjelbëruara, të cilat nuk ekzistojnë në projektin që do zbatohet në praktikë.

Projekti do të përfitojë nga të gjitha lehtësirat fiskale që ka krijuar së fundmi dyshja Rama-Veliaj, përgjysmimi i tarifës së ndërtimit dhe ulja e TVSH-së për hotelet e shtrenjta.

Gjithashtu, pritet që për të shmangur të gjitha pengesat ligjore për këtë skemë krejtësisht të paprecedentë shkëmbimi midis qeverisë dhe privatëve do të duhet të ndryshohen ligje dhe me gjasa edhe miratim në Kuvend.

Pjesa më shqetësuese nga të gjitha është vlerësimi i kostos së ndërtimit të godinës së teatrit, e cila pritet që të fryhet përtej asaj reale për të justifikuar truallin publik që do t’i jepet privatit. Edhe pse në emisionin Opinion, Veliaj është shprehur se godina do të kushtojë 20-30 milionë euro, në praktikë ajo do të kushtojë shumë më pak—në dëm të cilësisë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>