Më 27 nëntor 2018, Kryebashkiaku i Tiranës Erjon Veliaj inskenoi një takim me banorë të zonës së Astirit, të cilët kundërshtojnë prej javësh largimin nga shtëpitë e tyre. Krahas disa banorëve të përzgjedhur me kujdes, në sallë ishin ulur disa policë bashkiakë, vartës të Veliajt, duke u shtirur si banorë të zonës. Përdorimi i tyre është një veprim i turpshëm dhe dhunim i shtetit të së drejtës. Është përçudnuese që drejtuesi i tyre, në vend t’u kërkojë të punojnë për mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve, u ka kërkuar të “aktrojnë” për të ndidmuar kryebashkiakun të mashtrojë publikun e të manipulojë banorët për t’u marrë atyre në mnëyrë të padrejtë pronat.
Por ky inskenim tinëzar, edhe pse i zakonshëm për kryebashkiakun propagandist, nuk ishte gjëja më e rëndë në atë takim. Skandali i vërtetë ishin pohimet që Zoti Veliaj bëri në lidhje me dëmtimet nga djegja që pësoi policja Ina Nuka, gjatë një proteste të banorëve disa prej të cilëve përdorën kapsollë dhe shashka tymuese.
Duke komentuar dëmtimet në dorë të polices, Kryebashkiaku u shpreh:
“Po pse nuk është gjynaf ajo vajza pa gishta. Të gjithë jemi burra këtu—i shkojnë sytë ndonjoni këtu të martohet me një goc pa gishta. Pra, i kemi shkatërruar jetën. Dashtë zoti del me sukses dhe i ecën…bëmë një gjo që një burrë nuk e bo, një burrë shqipëtar. Të paktën në zakonet që kemi.”
Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, UNICEF, ka arritur në përfundimin se në Shqipëri mentaliteti dhe kultura maskiliste janë faktorët kryesore që privojnë gratë dhe vajzat nga mundësitë e barabarta në shkollim, punësim dhe hapësirën shoqërore. Me pohimin e tij, Kryebashkiaku Veliaj ka dëshmuar se i përket pikërisht asaj pjesës së shoqërisë që përfaqëson këtë mentalitet maskilist që është një nga pengesat kryesore të mirëqenies dhe përparimit të vajzave e grave në Shqipëri.
Pohimi i Zotit Veliaj nuk është shqetësues vetëm për faktin se tregon se ne kemi një kryebashkiak maskilist, i cili e sheh qenien dhe qëllimin e jetës të gruas të lidhur ekskluzivisht me martesën. Nuk është shqetësues thjesht për faktin se tregon që kemi një kryebashkiak përçmues dhe diskriminues ndaj njerëzve me pamundësi fizike, i cili mendon se një dëmtim fizik është shkatërrim të jetës, se barrierat fizike e bëjnë të pamundur një jetë të denjë e të qenësishme, pavarësisht forcës shpirtërore dhe mendore, pavarësisht vullentit, kurajos, përkushtimit që njeriu ka.
Pohimi i Zotit Veliaj është shqetësues mbi të gjitha sepse përmes tij ai synoi të shtynte gjithë opinionin publik drejt maskilizmit dhe diskriminimit ndaj pamundësive fizike. Sepse ai e propagandoi pohimin e tij si një bonsens, si vlerë normale shoqërore që një femre me dëmtime fizike nuk duhet t’i hedhë sytë asnjë mashkull. Madje për ta theksuar “popullaritetin” e këtij qendrimi maskilist, Zoti Vleiaj i shprehu fjalët e tij në një zhargonin dialektik “tironas”, duke kryer në rrugë e sipër një tjetër akt të pastër diskriminimi ndaj shumicës së qytetarëve të cilëve ai u shërben si kryebashkiak, të cilët nuk janë “tironsa”, por kanë ardhur nga e gjithë Shqipëria.
Është zhgënjim që pohimi, ndoshta, më maskilist që është bërë ndonjëherë nga ndonjë politikan doli nga goja e Erjon Veliajt – njeriut që ishte shfaqur si luftëtari kryesor në Qeverinë Rama për barazinë gjinore dhe përparimin e gruas.
Më 8 mars 2017, duke firmosur Kartën Evropiane për Barazi të grave dhe burrave nё jetën vendore, duke u shtirur si modest për “arritjet” e jashtëzakonshme të Bashkisë Tiranë në fushën e barazisë gjinore dhe empacipimit të gruas, Zoti Veliaj:
“Beteja e vërtetë nuk është në 8 Mars, beteja e vërtetë fillon nesër, kur nuk është festë, kur nuk ka trëndafila, kur beteja për emancipim bëhet akoma më serioze.”
Mesa duket betejën kryesore Kryebashkiaku e paska patur me veten.
Në mars 2018, Zoti Veliaj, së bashku me anëtaret femra të Këshillit Bashkiak, mbolli 500 pemë në një hapësirë të Parkut të Liqenit, e cila do të quhet “Shtegu i Nënave”, dhe në mënyrë predikuese u shpreh:
“Sot apeli më i madh është për ne burrat dhe djemtë, që të tregohemi më zotërinj me to, të kuptojmë që pjesën më të madhe të sakrificës, por edhe të mundit, nga mbajtja e shtëpisë e deri te punët e qytetit, e marrin nënat dhe vajzat. Është një gjest i vogël mirënjohjeje për sakrificën dhe kontributin që gratë dhe vajzat japin për suksesin e qytetit të Tiranës. Ndaj, më vjen mirë që sot si Tiranë jemi të parët në emancipim, por unë prapë besoj që më e mira është përpara.”
Natyrshëm lind pyetja: fjalët për fatin martesor të Inës, i shërbejnë emancipimit të femrave?
Erjon Veliaj, me krenari, pohon se e ka fituar betejën për emancipimin e gruas duke shënuar një rekord: 65 për qind e personelit të Bashkisë Tiranë janë vajza dhe gra. Edhe sikur kjo e dhënë të jetë e vërtetë, ajo është sipërfaqësore. Kryebashkiaku Veliaj nuk flet për të dhënat që dëshmojnë përparimin e vërtetë të grave: Sa gra dhe vajza janë në poste të larta drejtuese? Sa prej tyre kanë ndikim apo qasje në vendimarrje? Sa prej tyre janë të pavaruara nga ndikimi politik? Sa prej tyre janë duke i shërbyer interesit publik dhe jo ngushtësisht karrierës vetjake politike të Zotit Veliaj?
Këto tregues nuk i duhen zotit Veliaj sepse duket se atij i mjafton dukja.
Ashtu si më 7 dhjetor 2017, kur u mjaftua me faktin që Kulla e Sahatit në Tiranë u ndriçua me ngjyrë portokalli, ngjyra zyrtare e fushatës globale 16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore — kjo për të treguar se dhuna ndaj grave është shkelje e të drejtave të njeriut. Por Kryebashkiaku nuk ka asnjë koment për treguesit alarmantë të botuara nga UN Women, të cilat tregojnë se në Shqipëri vritet mesatarisht një grua çdo muaj nga dhuna në familje, ndërsa 1 në 5 gra përjetojnë dhunë seksuale gjatë jetës së tyre.
Për të ndaluar këtë dhunë nuk hyjnë në punë dritat portokalli në Kullën e Sahatit, madje zvogëlimi në veprime të tilla të lira propagandistike i përpjekjeve për të mbrojtur jetën e grave dhe të vajzave është keqshërbim ndaj vajzave, pasi krijon idenë sikur po bëhet diçka, kur nuk bëhet asgjë.
Por duket se solidariteti i Kryebashkiakut nuk dëshiron të bëjë asgjë përtej fasadës, përtej ndriçimit të kullave dhe propagandimit të treguesve sipërfaqësore.
Në fakt pohimi për gishtat e Inës dëshmon botëkuptimin e vërtetë të Kryebashkiakut Veliaj rreth përparimit të femrave dhe integrimit të tyre në jetën politike, ekonomike dhe shoqërore të vendit.
Në një vend demokratik, ku të drejtat e njeriut janë themeli i shoqërisë, një pohim i tillë duhet të pasohej të paktën me një ndjesë publike. Por jo, me një pohim po aq maskilist sa i pari, Zoti Veliaj u përpoq ta justifikonte atë një ditë më pas:
“Kur gjuan një vajzë është e rëndë në këtë sens e kisha atë që kanë shtrembëruar. I shkatërron jetën një vajze, e kanë shtrembëruar. Nuk kam thënë që nuk do të martohet. Të gjithë jetën ja bëni të vështirë. Jeni ju ata burra që nuk paragjykoni? Për paragjykimin e kisha. Nuk thashë që do ngelet pa martuar. E kanë nxjerrë nga konteksti, kjo është trajtuar politikisht.”
(Zoti Veliaj duket i paditur për rolin e tij, pasi nuk e kupton se çdo pohim i një politikani është politik dhe duhet të trajtohet kudo dhe kurdo si i tillë—nëse Veliaj nuk do të trajtohet politikisht duhet të largohet nga politika.)
Nëse duam të marrim shembull nga vendet demokratike se si duhen trajtuar pohimet paragjykuese dhe diskriminuese të politikanëve mjafton të shohim raste të ngjashme në demorkacitë perëndimore. Për shembull, pikërisht ditën që Zoti Veliaj bëri pohimin e dytë sfideues të mësipërm, Këshilli Bashkiak i Belfastit votoi për t’i hequr të drejtën Kryetares së Bashkisë, Samantha Paradis, për të përfaqësuar dhe folur në emër të Këshillit Bashkiak, pas një artikulli në të cilin ajo i kishte quajtur disa anëtarë meshkuj të Këshillit njërëz të çuditshëm. Këto komente u quajtën seksiste, të papranueshme dhe abuzim i pushtetit, ndaj Këshilli votoi në mënyrë anonime për t’i hequr të drejtën e fjalës në emër të tij kryebashkiakes.
Komentet, të bëra me shaka, nga Paradis ndaj kolegëve as që mund të krahasohen me sekzimin skandaloz të Veliajt. Por as Shqipëria nuk i ofrohet vendeve perëndimore për nga standardi i qeverisjes dhe cilësia e politikanëve.