Zv/ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer mbështeti të martën qëndrimet e ambasadores amerikane Yuri Kim.
Ai tha se ajo ka pasur të drejtë se kandidatët në zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri “duhet të jenë të besueshëm”.
‘’E rëndësishme ajo çfarë ka thënë Yuri Kim. Ata që kandidojnë duhet të jenë të besueshëm. Yuri Kim ka qenë e qartë në deklaratat e saj. Ka pasur progres në Shqipëri në reformën në drejtësi, por ka ende shumë punë për të bërë”, tha ai.
Ai tha se është me rëndësi që të zhvillohen zgjedhje transparente.
“Stërvitje ushtarake me disa vende të NATO-s, ne kemi zgjedhur edhe Shqipërinë që është anëtare e NATO-s. Ndërkohë jemi të përkushtuar që të ketë vaksina në të gjithë botën”, tha Palmer.
Po ashtu ai tha se duhet të vijojë Reforma në Drejtësi.
Ambasadorja amerikane Yuri Kim tashmë prej një viti u ka bërë thirrje partive politike që të kenë lista me kandidatë të ndershëm për deputet.
Ajo ka bërë thirrje qe Tom Doshi të mos jetë pjesë e listave dhe ka këmbëngulur që partitë e tjera ta dënojnë kandidimin e tij.