Mazhoranca e pashqetësuar nga kërcënimi i Presidentit për të shpërndarë parlamentin

Nga Exit News
Mazhoranca e pashqetësuar nga kërcënimi i Presidentit për të shpërndarë parlamentin Taulant Balla

Mazhoranca konsideron zotimin e Presidentit për të mbrojtur Kushtetutën me protesta si “garë për lidershipin e opozitës” ndërsa kërcënimin me shpërndarje të parlamentit si “qesharake”.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Tualant Balla u shpreh sot për mediat se:

“[…] kjo që po ndodh s’ka të bëjë aspak me marrëdhënie normale të Presidentit dhe Kuvendit, por me një garë të brendshme brenda opozitës ku është çelur një sezon, një garë për lidershipin. Pasi të mbarojë ky proces do dimë kush është Kryetari i ri i opozitës.”

Më herët Presidenti Meta pati deklaruar se projekti i tij politik është të jetë “lider i sovranitetit dhe unitetit kombëtar deri më 24 korrik 2022” duke theksuar se “nuk synon as për Kryeministër dhe as për Kryetar të opozitës”.

Presidenti Meta organizoi të hënën tubim në mbrojtje të Kushtetutës. Ai sulmoi qeverinë duke e quajtur të blerë nga oligarkët dhe paralajmëroi shpërndarjen e parlamentit. Shpërndarje që do ta firmoste më 15 mars nëse mazhoranca do ta shpërfillë dekretin kundër ndryshimeve ligjore që hoqën detyrimin e gjyqtarëve për t’u betuar përpara Presidentit.

Balla u shpreh i qetë për këtë pjesë. Ai këmbënguli se ndryshimet e ndërmarra nga mazhoranca për mënyrën e betimit të gjykatësve është bërë në bazë të Opinionit të Venecias si “mekanizëm zhbllokues i domosdoshme për situatën”. Më pas për paralajmërimin për shpërndarje të parlamentit shtoi se:

“Republika e Shqipërisë është e pastër parlamentare, e kulluar parlamentare dhe Presidenti i zgjedhur në atë detyrë nga Kuvendi e di fare mirë këtë mungesë të së drejtës për të pasur këtë lloj qasje me Kuvendin. […] Kuvendi e shkarkon Presidentin dhe procesi certifikohet nga Gjykata Kushtetuese, Presidenti i vjen anash Kuvendit. Për ta shpërndarë, Presidenti duhet ta kuptojë se është nën hetim për shkelje të Kushtetutës. Deklarata se do të shpërndajë Kuvendin është qesharake”.

Më vonë, zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi, replikoi deklaratën e Ballës duke komentuar në Facebook:

“Të duket vetja i fortë ngaqë rri me çuna problematikë, por lutju Zotit që të mos kthehet i gjithë populli në “problematik”.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme