Nënkryetari i Bashkisë Tiranë Arbjan Mazniku ka deklaruar se darka e tij dhe zyrtarëve të tjerë në Dubai, ka pasur si qëllim sjellën e investitorëve arabë në vend.
Në një intervistë për Syri Tv, të hënën, Mazniku sqaroi se delagacioni shqiptar iku në Dubai për të sjellë në vend kompaninë arabe EMAAR, për projektin e portit të Durrësit:
“Ne shkuam si pjesë e një tentative të qeverisë për të sjellë në Shqipëri një investitor, të quajtur EMAAR Group. Ajo është një palë e interesuar për rivitalizimin e portit të Durrësit.
Po flasim për një investim që i kalon 2 miliardë euro.”
Pyetur nëse ka konflikt interesi, Manziku mohoi dhe tha se zyrtarët duhet të bëjnë ç’është e mundur për të sjellë investime në vend:
“Duhen përdorur të gjitha mënyrat e mundshme të ligjshme që t’i joshim investitorët të vijnë në Shqipëri.”
Ai shtoi se si nënkryetar i bashkisë prezantoi disa projekte për Tiranën:
“Kompania ka interes të afrohet edhe në qytetin e Tiranës dhe po shqyrton disa mundësi investimi. Unë isha aty për të prezantuar disa projekte të mundshme në Tiranë.”
Mazniku tha se media shqiptare e ka nxjerrë jashtë kontekstit videon teksa ministra, zyrtarë dhe sipërmarrësi Mane po hanin darkë një restorant në Dubai:
“Edhe unë nëse do kisha parë lajmet nga mënyra se si dukej dhe si është portretizuar darka në mënyrë të padrejtë, do isha revoltuar. E mirëkuptoj mërzinë dhe inatin që kanë kur informacioni del jashtë kontekstit.”
Mazniku shtoi se në video nuk duket investitori arab pasi ‘iu desh të lëvizte’.
“Ishin të gjitha të ofruara nga kompania. Nusretin e takuam. Menynë nuk e pamë dhe as e porositëm sepse ishte porosi e kompanisë,” u shpreh ai.
Mbrëmjen e 9 janarit, restoranti i famshëm Nusret në Dubai postoi një video ku dukeshin teksa darkonin një grup personash. Ata ishin nënkryetari i Bashkisë Tiranë Arbjan Mazniku, Drejtori i Komunikimit në kryeministri Endri Fuga me bashkëshorten, ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj, ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku dhe sipërmarrësi Samir Mane.
Nuk dihet ende nëse në tavolinë kishte dhe zyrtarë të tjerë të lartë apo sipërmarrës shqiptarë apo të huaj.
Po ashtu nuk dihet se përse në këtë takim nuk kanë qenë dhe përfaqësues nga bashkia e Durrësit, përderi sa projekti kryesor i diskutuar ka qenë ai i portit të Durrësit.