
Në Maqedoninë e Veriut, mbërriti grupi i parë i afganëve që do të strehohen përkohësisht derisa t’iu rregullohen dokumentacionet për qëndrim afatgjatë në Shtetet e Bashkuara.
Në aeroportin e Shkupit mbërritën 149 qytetarë afganë, kryesisht persona që kanë punuar në organizatat ndërkombëtare, si dhe familjet e tyre.
Maqedonia e Veriut ka thënë se do të strehojë gjithsej 750 afganë.
Afganët janë dërguar për t’u strehuar në dy hotele në periferi të Shkupit.
Disa parti opozitare kundërshtuan vendimin e qeverisë për strehimin e afganëve duke i konsideruara ata si të rrezikshëm për sigurinë e vendit.
Ndërkohë, kryeministri Zoran Zaev, tha se ata nuk rrezikojnë sigurinë e vendit ndërsa shtoi se vendimi për t’i strehuar dëshmon humanizëm kundrejt njerëzve të pafajshëm që iu rrezikohet jeta.