
Gjykata Administrative e Apelit shtyu sot sërish seancën për kandidatin për Prokuror të Përgjithshëm Lulzim Alushaj. Shkak për shtyrjen e seancës u bë mungesa e njërit prej gjyqtarëve të trupit gjykues.
Seanca do të zhvillohet ditën e premte me datë 25 tetor.
Kjo është hera dytë që gjykata shtyn seancën. Javën e kaluar ajo duhej të shprehej lidhur me çështjen e zotit Alushaj, por sërish për shkak të mungesës së njërit prej gjyqtarëve seanca u shty për ditën e sotme.
Mungesa e një vendimi nga ana e gjykatës pengon vazhdimin e garës për Prokuror të Përgjithshëm. Rregullorja për Procedurat për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm përcakton se “Këshilli nuk ndërmerr veprime të mëtejshme deri në përfundimin e procesit të ankimit ose veprimeve të Gjykatës Administrative të Apelit.”
Avokati Alushaj paditi në fillim të tetorit Këshillin e Lartë të Prokurorisë, pasi KLP e skualifikoi nga gara për Prokuror të Përgjithshëm.
Pas vlerësimit të dosjeve të kandidatëve, KLP vlerësoi se Zoti Alushaj nuk plotësonte kushtin e pasjes 15 vjet përvojë pune si jurist i spikatur të parashikuar në nenin 148/a të Kushtetutës dhe në ligjin 97/2016 Për organizimin e funksionimin e Prokurorisë”.