Mbetjet e Durrësit do të sillen tek inceneratori i Tiranës

Nga Exit News
Mbetjet e Durrësit do të sillen tek inceneratori i Tiranës

Bashkia Durrës do të dërgojë mbetjet urbane tek inceneratori i Tiranës, për 4 muajt e ardhshëm. Bashkia nuk do të paguajë inceneratorin për përpunimin e mbetjeve për këto muaj.

Sipas marrëveshjes, mendohet se kjo periudhë do t’i mjaftojnë Bashkisë për të zgjidhur problemin e fondeve për të paguar inceneratorin për djegien e mbetjeve.

Në 11 qershor, Këshilli Bashkiak i Durrësit shpalli gjendjen e emergjencës mjedisore për mbeturinat në Durrës.

Vendimi u mor disa ditë pasi qyteti i Durrësit u mbulua nga mbetjet dhe qytetarët e Manzës nuk pranuan që mbetjet e Durrësit të digjeshin në vendgrumbullimin e qytetit.

Kjo gjendje u krijua pas mbylljes së vend depozitimit të Porto Romanos, një prej 4 vend depozitimeve të mbetjeve në Durrës. Porto Romano u mbyll me vendim të qeverisë pas tërmetit të 26 nëntorit për tu kthyer në një park industrial.

Por sa do t’i kushtojë Bashkisë Durrës inceneratori i Tiranës:

Sipas kontratës koncesionare mes qeverisë dhe kompanisë Integrated B.V, njësitë e qeverisjes së Bashkisë Tiranë do t’i paguajë koncesionarit 29 euro për ton mbetje. Pra, nëse kjo vlerë nuk ndryshon edhe Bashkia Durrës do të duhet t’i paguajë inceneratorit 29 euro për ton mbetje.

Nisur nga ky çmimi dhe sipas një përllogaritje të bazuar në sasinë e mbetjeve ditore të grumbulluara nga Bashkia Durrës, të publikuar nga Porta Vendore, Bashkia duhet t’i paguajë inceneratorit të Tiranës 4200 euro në ditë, ose 126 mijë euro në muaj, ose rreth 1,5 milionë euro në vit.

Sasia e mbetjeve të grumbullura në qytet dhe në njësitë adminsitrative dhe vlera që duhet t’i paguhet inceneratorit në ditë:

— Sukth, 22 ton mbeturina në ditë, pagesa ndaj inceneratorit do të jetë 638 euro dita.

— Manëz, 4 ton mbetje në ditë, pagesa për inceneratorin do të jetë 116 euro dita.

— Katund i Ri, 4 ton mbetje në ditë, pagesa për inceneratorin do të jetë 116 euro dita.

— Rrashbull, 12,6 ton në ditë, pagesa për inceneratorin do të jetë 377 euro dita.

— Durrës, 102 ton mbeturina në ditë, pagesa për inceneratorin do të jetë rreth 3000 euro dita.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>