Ndonëse prej disa javësh ka nisur sezoni turistik, qyteti i Durrësit ndodhet në situatë emergjente sa i takon plehrave të cilat nuk grumbullohen prej ditësh.
Koshat në rrugët e qytetit janë tejmbushur dhe nuk janë pastruar pasi Bashkia Durrësit ende nuk ka marrë një vendim për menaxhimin e mbetjeve.
Situata më kritike raportohet në zonat periferike të qytetit pasi kamionë të ndërmarrjeve shtetërore i kanë shkarkuar atje mbetjet duke krijuar një situatë mjedisore emergjente.
Kjo ka bërë që banorët e lagjes 14 në Shkozet të dalin në protestë duke kërkuar largimin e plehrave që aty.
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi deklaroi më herët në një konferencë për shtyp se situata do të zgjidhet brenda dy ditëve të ardhshme por nënvizoi se ministria e që ai drejton nuk është përgjegjëse për këtë çështje.
“Kjo është përgjegjësi përtej ministrit të Brendshëm është një përgjegjësi e pushtetit vendor, është përgjegjësi kontraktuale e pushtetit vendor me kompaninë që ofron shërbimet në raste të tilla. Është një përgjegjësi rregullatore, aq sa luan një rol dhe Ministria e Mjedisit”, tha Çuçi.
Nga ana tjetër, kryetarja e Bashkisë, Emirjona Sako është shprehur se po bëjnë ç’është e mundur për të gjetur zgjidhje në landfillde të miratuara.
Durrësi u përball me të njejtën situatë edhe një vit më parë, por atëhere u vendos që mbetjet të depozitoheshin në landfilldin e Sharrës në Tiranë. Kontata e përkohëshme e Bashkisë Durrës me “Integrated Energy” përfundoi në fillim të qershorit dhe prej atëherë mbetjet nuk janë pastruar më në qytet.
Këshilli Bashkiak i Durrësit ndërkohë i ka kërkuar qeverisë të financojë një kontratë 10 vjeçare me kompaninë “Integrated Energy” për djegien e mbetjeve.