
Të enjten, totali i të infektuarve me Covid-19 në Ballkanin Perëndimor i kaloi 10 mijë personat. Gjysma e tyre janë në Serbi.
Përditësimet e mbledhura nga Exit News, tregojnë se në 7 shtetet e Ballkanit Perëndimor janë diagnostikuar 10 580 persona me koronavirus, prej të cilëve 1 690 janë shëruar dhe 262 kanë vdekur.
Vendi më i prekur në rajon mbetet Serbia – 50 për qind e të infektuarve dhe 40 për qind e viktimave në rajon janë serbë.
Në shifra përkthehet 5 318 të infektuar, 103 të vdekur. Sidoqoftë vlen për t’u theksuar se Serbia kryeson për numrin e testeve në rajon, pasi ka analizuar rreth 30 mijë persona.
Shqipëria dhe Kosova mbeten me të dhëna të diskutueshme.
Vendi ynë mbetet me vdekshmërinë më të lartë në rajon – 5 për qind e të infektuarve – por njëkohësisht edhe me shërueshmërinë më të lartë – 53.4 për qind.
Ndërkohë Kosova, u la prapa për testime, edhe nga Mali i Zi, vend i cili diagnostikoi rastin e parë 4 ditë më vonë – 17 mars.

Mbi 2 milionë njerëz janë infektuar me Covid-19 në gjithe botën, rreth 140 mijë prej të cilëve kanë vdekur.
SHBA-të me 640 mijë të infektuar dhe 31 mijë viktima janë ndër shtetet më të prekura, bashkë me Italinë (21 mijë viktima) dhe Spanjën (19 mijë viktima).