Një sulm kamikaz të hënën vrau të paktën 35 vetë dhe plagosi dhjetra të tjerë, në lagjen Sadr City të Bagdadit.
Sulmi erdhi në prag të festës së Kurban Bajramit, në tregun publik al-Wuhaylat, gjatë orës së pikut, sipas një zyrtari nga Drejtoria e Shëndetësisë e Bagdadit.
Numri i të lënduarve ishte mbi 60 persona, sipas një raportimi nga Reuters, teksa një pjesë e tyre janë në gjendje kritike, që mund të sjell një rritje të numrit aktual të viktimave.
Grupi terrorist Daesh/ISIS mori përgjegjësinë për shpërthimin vdekjeprurës duke deklaruar se një nga militantët e tyre detonoi një jelek të mbushur me një sasi të madhe eksplozivi.
Autoritetet irakene vazhdojnë përpjekjet e kërkim-shpëtimit, ndërkohë që po hetojnë për të kapur personat përgjegjës.
Pas një heshtje 3-vjeçare, në 2021 në Irak rifilluan sulmet me bazë fetare.
Shteti Islamik mori përgjegjësinë për një sulm me bombë janar, i cili vrau sërish mbi 30 persona në një treg të populluar në Sheshin Tayaran në Bagdadin qendror.
Në prill, grupi militant, i cili i përket myslimanëve suni mori përgjegjësinë për një sulm me makinë me bombë, në një tjetër treg në Sadr City, lagja kryesore myslimane shiite e Bagdadit. Sulmi vrau katër persona dhe plagosi 20 të tjerë.