Mbi 600 punonjës publik të larguar në 5 vite, rezultatet e dekriminalizimit

Mbi 600 punonjës publik të larguar në 5 vite, rezultatet e dekriminalizimit

Rreth 600 persona kanë humbur postet e tyre si pasojë e zbatimit të ligjit të dekriminalizmit prej vitit 2015.

Ligji në fjalë u krijua si përpjekje për të mbajtur larg personat e dënuar nga kandidimi ose zgjedhja në poste publike dhe rezultatet e tij janë sjellë  të përmbledhura në “Me Pak Fjalë” në  Euronews.

Pas një marrëveshje në fund të 2014, tre partitë më të mëdha në vend – PS, PD dhe LSI – ranë dakord për hartimin e ligjit të dekriminalizimit me qëllim që të parandalonin kandidimin dhe emërimin e personave me të shkuar kriminale në parlament, bashki ose administratën publike.

Sipas ligjit, çdo kandidat është i detyruar që të deklarojë në një formular dënimet të formës së prerë ose jo që ai ka patur brenda dhe jashtë vendit. Nëse ka dënime për krime të rënda ose krime zgjedhore, kandidati nuk lejohet të vijojë garën. Kjo ndodh edhe kur ai ka patur dënim me mbi 2 vite burg ose mbi 6 muaj kur krimi është kryer me dashje.

Nëse kandidati nuk deklaron sakt të dhënat përsëri ai shkarkohet nga posti që ka. Për të verifikuar nëse deklarimi është i saktë, duhet që rasti të denoncohet në KQZ. Për të zgjedhurit në poste publike duhet të deoncohet nga 1/10 e deputetëve, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, Prokurori i Përgjithshëm ose 500 shtetas me të drejtë vote por duhet të sjellin prova.

Për punonjësit e administratës mjafton denoncimi i ministrit të linjës, një deputeti ose prokurori për të kërkuar hetime.

Pas denoncimit, KQZ i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme të hetojë dhe kërkojë informacion jashtë vendit. Prokuroria raporton më pas tek KQZ nëse deklarimet e subjektit janë të sakta ose jo. E fundit është KQZ që vendos për heqjen ose jo të postit.

Sipas një studimi të Institutit të Studimeve Politike nën mbështetjen e ambasadës holandeze, shumica e personave që janë prekur nga dekriminalizimi janë punonjës të administratës.

Janë shkarkuar ose dorëhequr 281 punonjës nga administrata publike dhe 195 nga administrata e qeverisjes qendrore.

Prej vitit 2015, 35 anëtarë këshillash bashkiakë janë shkarkuar dhe 21 kanë dhënë dorëheqjen si pasojë e dekriminalizimit.

Në radhët e kryebashkiakëve, janë tre të larguar. I pari ishte kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi që humbi mandatin në vitin 2016 për fhsheje të dënimit në Itali dhe një hetim ndaj tij për trafik droge.

Pas zgjedhjeve lokale të vitit 2019, dy kryebashkiakë të zgjedhur të PS, Agim Kajmaku i Vorës dhe Valdrin Pjetri i Shkodrës humbën mandatin pasi fshehën dënimet në vendet e BE-së.

Dekriminalizimi ka sjellë edhe largimin e deputetëve nga Kuvendi që është edhe aryseja që ai u krijua si ligj në radhë të parë.

Gjatë 5 viteve u larguan 7 deputetë, Mark Frroku, Arben Ndoka, Armando Prenga hoqën dorë nga mandatet e tyre pas denoncimeve të opozitës për përfshirje në aktivitete kriminale jashtë vendit.

Ndërsa, Shkëlqim Selami, Gledjon Rehovica, Dashamir Tahiri dhe Aqif Rakipi u shkarkuan nga detyra e deputetit pasi KQZ vendosi se ata kishin fshehur dënime në formularin e vetëdeklarimit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>