«Qenia njerëzore, individi … është burimi i fundit i të gjitha të drejtave»
Hersch Lauterpacht
Më 18 tetor, Këshilli Evropian vendosi të mos ndjek rekomandimin e Komisionit Evropian për hapjen e negociatave për pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Shqipëria është përsëri në një krizë politike, së cilës i shtohet edhe hezitimi i disa vendeve anëtare, përfshirë Francën, për hapjen e këtyre negociatave.
Në zgjedhjet lokale të 30 qershorit, Partia Socialiste në pushtet ishte forca e vetme politike e vërtetë që mori pjesë. Rezultati ishte i njohur që në fillim. 60 nga 61 kryetarët e zgjedhur ishin kandidatët socialistë. Presidenti i Republikës dhe partitë opozitare nuk i njohin këto zgjedhje. Ishte akti i fundit i një krize që kishte filluar muaj më parë.
Në shkurt 2019 opozita më në fund la parlamentin duke akuzuar për vjedhje masive votash gjatë zgjedhjeve 2017 dhe për korrupsion qeveritar. Përveç lëmshit politik, shoqëror dhe të sigurisë, ekziston edhe ai ligjor dhe institucional. Si arritëm në këtë pikë?
Kriza aktuale shqiptare nuk është vetëm një krizë politike, ligjore, sociale dhe e sigurisë. Është para së gjithash një krizë e thellë institucionale, e cila në vetvete përmban pamundësinë e zgjidhjes së krizave të tjera. Kjo është origjina dhe arsyeja e çdo krize në Shqipëri.
Si arritëm në këtë pikë?
«Dhuna» kundër institucioneve dhe individëve
Që nga viti 2014 Qeveria ka planifikuar një reformë të gjerë të gjyqësorit në Shqipëri. Kjo reformë është mbështetur nga Komisioni Evropian dhe nga bashkësia ndërkombëtare në përgjithësi, duke besuar në qëllimet e mira të shumicës së re të qeverisë së vitit 2013.
Nëse nevoja për reformë në drejtësi ishte dhe është ende thelbësore, pyetje legjitime mund të ngrihen mbi orientimin dhe efektet e kësaj reforme, përfshirë efektet e përkohshme dhe të ndërmjetme, në krizën institucionale shqiptare, dhe rrjedhimisht në krizën politike, sociale dhe ligjore të vendit.
Pas kësaj reforme, institucione të kontrollit sistematik dhe individual të të gjithë gjyqtarëve shqiptarë u krijuan nga Parlamenti. Disa gjyqtarë ose kanë dhënë dorëheqjen para procesit të shqyrtimit ose u liruan nga detyra në pamundësi për të justifikuar pasurinë e tyre të grumbulluar gjatë karrierës profesionale, gjyqësore apo tjetër.
Që prej fillimit të kësaj reforme, Kryeministri shqiptar ka deklaruar se gjyqësori në tërësi është i korruptuar dhe drejtësia e re do ta zëvendësonte. Siç kishte vepruar në të kaluarën, ai nuk ka ngurruar të sulmojë individualisht gjyqtarët që ndërkohë jepnin vendime që atij nuk i pëlqyenin.
Që nga fillimit të kësaj reforme, filluan të lindnin probleme. Brenda disa muajsh, disa gjyqtarë, përfshirë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, dhanë dorëheqjen nga postet e tyre.
Shumë shpejt Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata Lartë u bënë joekzistente për mungesë kuorumi. Akumulimi i dosjeve të prapambetura pranë këtyre gjykatave është i pafund. Shqiptarët presin, pa sukses, që të bëhet drejtësi. Kryeministri do t’i përgjigjej kësaj situate me frazën e famshme “më mirë djep bosh sesa djalli brenda”. Nuk do të mungonin as deklaratat e diplomatëve të huaj që deklaronin se kjo situatë ishte çmimi që duhej paguar për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe për të pasur një gjyqësor profesional dhe të pavarur.
Ndërkohë, u miratuan ligje të cilat nuk mund t’i nënshtroheshin kontrollit kushtetues, u zgjodh nga Parlamenti një prokuror i përgjithshëm i përkohshëm në një situatë shumë të tensionuar, dhe në fund ndjekja penale e akuzave për pjesëmarrje në organizatat kriminale të trafikut të drogës ndaj anëtarëve të qeverisë, po vonohej.
Gjatë këtyre konflikteve, të cilat hedhin shumë dritë mbi krizën e tanishme, qeveria deshi të shkatërrojë, brenda natës, një lagje të tërë në periferi të Tiranës, për ndërtimin e veprave publike, për të cilat mediat zbuluan se ishin fituar mbi dokumente të falsifikuara. Askush nuk mund të ankohej para gjykatës për prishjen e shtëpisë së tyre – Kryeministri u kishte thënë që as të mos e bënin provën. Në çdo rast, qeveria nuk do të paguante.
Më 11 nëntor, skena dhune, me disa të plagosur, shoqëruan aksionin e qeverisë për prishjen e një pjese të shtëpive. Gjykatësit dhe prokurorët që i janë nënshtruar, në bllok, kontrollit të pasurisë dhe të kaluarës së tyre profesionale dhe mundësia e tyre për të filluar hetime mbi veprimet e policisë, edhe kur ka të plagosur, është thjesht teorike. Vërejtjet e fundit të një zyrtari të lartë të mazhorancës që i kujtoi gjykatësve “se ata ende nuk e kishin kaluar vetingun” janë shprehje shumë e qartë e asaj që Gjykata e Strasburgut e konsideron “efekt demoralizues”. Karriera e tyre gjyqësore është nën kontrollin e komisioneve të emëruara nga partitë politike.
Reforma të tilla, sipas GJEDNJ, ka të ngjarë që «të shkaktojnë dyshime të arsyeshme/legjitime, veçanërisht në mendjen e palëve, për sa i përket pandikueshmërisë së gjyqtarëve në fjalë nga faktorët e jashtëm dhe paanshmërinë e tyre përballë interesave të ndryshme që mund të përplasen. Askush nuk mund ta ndalojë këtë dhunë ndaj individëve dhe prishjen e shtëpive të tyre. Shprehja e fundit e këtij mentaliteti “reformist” është ekstradimi i një qytetari turk në Turqi, pa iu dhënë as mundësia teorike këtij të fundit për të patur një proces para një gjykate shqiptare.
Dhunë kundër «kërpudhës»
Që prej shkurtit 2019 opozita parlamentare braktisi parlamentin e zgjedhur në 2017, duke hequr dorë përfundimisht nga mandati parlamentar. Mbi të gjitha, ajo ngriti akuza për manipulim masiv të votave në zgjedhjet e 2017, korrupsion të shfrenuar të qeverisë, pretendime të bëra gjerësisht publike, dhe madje edhe të zbardhura nga shtypi shqiptar. Opozita deklaroi gjithashtu se në këto kushte nuk do të merrte pjesë në zgjedhjet lokale të qershorit 2019.
Që nga muaji shkurt opozita organizoi disa demonstrata kombëtare, disa me skena dhune nga të dyja krahët, si prej mbështetësve të opozitës dhe forcave të policisë. Gjatë ditës së parë të këtyre protestave, më 16 shkurt, bomba molotov u hodhën në oborrin e zyrës së Kryeministrit. Një kërpudhë e ngritur në kopshtin ngjitur ndërtesës u shkatërrua nga demonstruesit. E megjithatë ajo ishte e bukur, të paktën sipas shijeve të kufizuara artistike të autorit të këtyre rreshtave. Vendosur pikërisht në atë vend me vullnetin e vetë Kryeministrit, siç duket kosiderohej si një simbol i fuqisë së tij nga demonstruesit.
Pas këtyre skenave të dhunës, reagimet nga Kryeministri dhe anëtarët e tjerë të qeverisë ishin të menjëhershme, duke akuzuar demonstruesit dhe partitë e opozitës për dhunë të paprecedent. Veçanërisht i konsideruan protestuesit si njerez të egër që kishin shkatërruar edhe kërpudhën. Këto akte dhune u kritikuan menjëherë nga përfaqësuesit diplomatikë të akredituar në Tiranë.
Akte të ngjashme, të karakterizuara nga dhuna e demonstruesve dhe policia, do të përsëriteshin sërish më pas. Në mesin e demonstruesve ishin qytetarë, të cilëve qeveria u kishte prishur shtëpitë një ditë apo një tjetër, pa dhënë mundësi, as teorike, që t’i drejtoheshin një gjykatësi. Kishte studentë të zhgënjyer nga reforma në arsim, kishte kaq shumë qytetarë që kishin dëgjuar përgjimet mbi manipulimin e votave në zgjedhjet e 2016 dhe 2017 dhe po t’i shihje, as nuk prisnin një reagim nga drejtësia jo-ekzistente shqiptare.
Reagimet e qeverisë dhe trupit diplomatik kundër këtyre akteve të dhunës përsëriteshin çdo herë. Nëse këto reagime ishin, me të drejtë, të menjëhershme qysh prej ditës se demonstratave, dhe madje edhe paraprakisht, në rastin e dhunës kundër “kërpudhas”, nuk kishte asnjë reagim kur ligjet e aprovuara nga Parlamenti nuk mund t’i nënshtroheshin kontrollit mbi kushtetutshmërinë; kur prokurorët shqiptarë, për arsye që janë të vështira për tu kuptuar nga pikëpamja juridike, nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për gati tre vjet mbi indicie që ngrinin dyshime të forta mbi manipulim masiv të votave në zgjedhje, apo kundër pretendimeve për tolerim të trafikut të drogës. Nuk kishte reagime as për shtëpitë e qytetarëve që shkatërroheshin pa pasur mundësinë e një procesi gjyqësor, as për skenat e dhunës, të cilat shtrojnë pyetje legjitime në lidhje me të drejtën e jetës, të drejtën e integritetit fizik, e jetes private !!!
Vazhdojmë të shohim suksesin e reformës në drejtësi në largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të presupozuar të korruptuar dhe jo në nevojën për të siguruar, me zëvendësimin e tyre, vazhdimësinë e funksionit gjyqësor. Dhe tani po nxitojmë në zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese vetëm sepse na e kërkohen Bundestagu.
Nëse qëllimi i lavdërueshëm i zëvendësimit të gjyqtarëve të korruptuar dhe të paaftë u deklarua, dhe duhet të përkrahej nga të gjithë, efekti i prodhuar është që nuk ka gjykata që të vendosin as për çështje drejtësie, as për çështjeve kushtetueshmërie.
Sot, e drejta për të gjykuar, një e drejtë e garantuar nga neni 42 i Kushtetutës shqiptare, nga neni 47 i Kartës së të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian dhe nga Nenet 6 dhe 13 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ratifikuar nga Shqipëria, nuk janë të mbrojtura në vend. Është një lloj dhune ndaj gjyqësorit dhe rendit kushtetues të vendit. Nuk po flas për gjyqtarët e pushuar, po flas për gjyqësorin. Fakti që reforma u miratua me ndryshime kushtetuese, të mbështetur nga të gjitha partitë politike dhe të miratuara nga partnerët ndërkombëtarë, nuk e ndryshon këtë.
Historia e largët dhe e afërt e Evropës ka treguar se me ligj shpesh mund të bëjmë goditje shumë më të forta ndaj demokracisë dhe sundimit të ligjit sesa nga demonstratat, kur këto ligje nuk i nënshtrohen kontrollit gjyqësor nga gjykatat e pavarura, kushtetuese ose të zakonshme. Gjykata e Strasburgut thotë që, ndonëse shtetet janë të lira të organizojnë dhe të reformojnë pushtetin gjyqësor, ato duhet ta bëjnë në një mënyrë që garanton qasje efektive në gjykim si dhe në pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqësorit.
Prandaj, efekti i reformës gjyqësore në Shqipëri është i qartë si dita dhe përbën shkakun kryesor të krizës komplekse me të cilën përballet vendi. Gjyqësori në Shqipëri është shkatërruar dhe nuk ka gjyqësor më të korruptuar se ai që nuk ekziston.
Për gati dy vjet, Shqipëria nuk ka një rregull kushtetues. Kriza ka qënë e pranishme prej disa vitesh tashmë, ndërkohë që institucionet gjyqësore filluan të mos ishin në gjendje të ushtronin funksionet e tyre për t’i shërbyer ligjit dhe qytetarëve. Të kthjellohesh tani që ke nevojë për një Gjykatë Kushtetuese është të mos e kesh kuptuar qëllimin përfundimtar të ndonjë institucioni publik dhe veçanërisht gjyqësor.
Kriza nuk u shfaq në maj të vitit 2019 kur gjyqtarët nuk ishin më në detyrë për t’iu përgjigjur enigmës së grindjeve politike, institucionale, elektorale dhe grindjeve individuale midis zyrtarëve të lartë politikë, as në dhjetor 2019 për të marr vesh si do të zgjidheshin gjyqtarët kushtetues, sepse Bundestagu vendosi këtë kusht, ndër të tjera, për hapjen e negociatave të pranimit në BE.
Ajo ishte atje qyshkur gjyqësori, duke pasur mungesë të kuorumit, nuk mund të vendoste më për çeshtje ligjshmërie dhe të kontrollonte abuzimet dhe shkeljen e Kushtetutës e ligjit. Duhet mbajtur mend se neni 16 i Deklaratës së të Drejtave të Njeriut dhe Qytetarit të 1789, “Në ato shoqëri, në të cilat nuk sigurohet as garancia e të drejtave, as ndarja e pushteteve, Kushtetuta nuk ka vlerë.”
Nëse vëzhguesit e situatës shqiptare duan që qytetarët të jetojnë në paqe dhe harmoni, ata gjithashtu duhet të mbajnë mend paragrafin 3 të Parathënies së Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut që thotë se “Duke marrë parasysh se është thelbësore që të drejtat e njeriut të mbrohen nga një sistem juridik, në mënyrë që njeriu të mos detyrohet, si një mundësi e fundit, të revoltohet kundër tiranisë dhe shtypjes”.
Pa një gjyqësor të pavarur, siç ndodh aktualisht në Shqipëri, të drejtat nuk garantohen dhe ndarja e pushteteve nuk është e përcaktuar. Kjo është kriza që shumë vëzhgues kanë dështuar ose vonuar për të kuptuar rëndësinë dhe seriozitetin e pasojave, për më shumë se dy vjet tashmë.
Përgjigjja ndaj dhunës gjatë demonstratave është e nevojshme, por për të ndihmuar në parandalimin e saj është thelbësore të kuptohen shkaqet. Rrënjët e krizës duhet të gjenden në këtë dikotomi midis reagimeve ndaj prishjes së “kërpudhave” dhe reagimeve që mungojnë ose janë të vonuara për prishjen e institucioneve dhe gjyqësorit në Shqipëri.
Në momentet që flasim, në Shqipëri nuk ka as një sistem funksionues gjyqësor dhe as kushtetues. Rindërtimi i sistemit kushtetues është fillimi dhe e vetmja mundësi për zgjidhjen e krizës, por duhet një sistem i cili, para së gjithash, është i pavarur nga ekzekutivi dhe jo një instrument në duart apo interesin përfundimtar të këtij të fundit.
Botuar më parë këtu.
Përkthyer nga Exit News.