“Për bashkëveprim dhe koordinim më të ngushtë mes institucioneve”, ky ishte diskutimi që u bë sot në Këshillin e Sigurimit që u thirr nga Presidenti Meta.
Në një postim në Facebook, Presidenti bëri me dije se nevoja për të përballuar emergjencën deri në rivendosjen e normalitetit kërkon bashkëveprim mes institucioneve.
“Sot në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, diskutuam për një bashkëveprim dhe koordinim më të ngushtë midis të gjitha institucioneve për përballimin e emergjencës deri në rivendosjen e normalitetit të plotë […] të sigurojmë burimet e brendshme dhe mbështetjen e duhur ndërkombëtare për tejkalimin e pasojave të rënda të këtij tërmeti të tmerrshëm.”
Në mbledhjen që zgjati deri në orën 9:30, ishin të pranishëm Kryetari i Kuvendit Ruçi, Kryeministri Rama dhe ministrat, Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Veliu dhe Drejtori i Emergjencave Çako.
Presidenti thotë se gjatë mbledhjes u mbështet prokuroria në hetimet për të vendosur përpara drejtësisë përgjegjësit e shkallës së rëndë të pasojave që pati tërmeti.
“E mbështetëm prokurorinë të çojë përpara hetimet dhe të vendosë para përgjegjësisë penale të gjithë ata që do të rezultojnë përgjegjës.”
Përpara mbledhjes, Kryeministri Edi Rama, kishte thënë se do të diskutonte mundësinë e ndryshimit të kodit penal me qëllim ashpërsimin e masave ndaj abuzuesve në ndërtime.