Këshilli Politik do të mblidhet pasdites e së hënës për të vijuar me bisedimet për reformën zgjedhore.
Sipas ftesës, bërë nga përfaqësuesi i PS-së në Këshill, Damian Gjiknuri, në mbledhje do të miratohet edhe “krijimi i një grupi pune për reflektimin e ndryshimeve Kushtetuese në Kodin Zgjedhor”.
Ndryshimet kushtetuese për të cilat flet Gjiknuri janë ato të miratuara në 30 korrik: hapja e listave të kandidatëve për deputetë dhe ndalimi i koalicioneve parazgjedhore me lista të veçanta.
Siç Exit News ka shkruar më parë, çështjet që ende duhet të diskutohen në Këshillin Politik janë:
– Përcaktimi i nivelit të hapjes së listave, duke zgjedhur mes tre alternativave të mundshme: t’i lihet secilës parti politike të vendosë se çfarë niveli hapje do të përdorë ajo për listën e saj, natyrisht duke respektuar nivelin minimal kushtetues prej dy të tretave; të hapen 100 për qind; të ruhet niveli minimal kushtetues prej dy të tretave.
– Përcaktimi i pragut kombëtar që duhet të arrijnë partitë politike që të fitojnë të drejtën për t’u përfaqësuar në Kuvend.
– Përcaktimi i rregullimit të koalicioneve, veçanërisht nëse do të lejohen koalicionet me listë të përbashkët apo jo.
– Përcaktimi i rajoneve zgjedhore mes dy alternativave, ruajtjes së 12 zonave të tanishme zgjedhore apo kalimi në katër zona zgjedhore sipas katër rajoneve zhvillimore të përcaktuara nga Kuvendi, në fund të korrikut.
– Përcaktimet për departizimin e administrimit zgjedhore, të cilat do të zbartohen për zgjedhejt e vitit 2025.