Mbretëria e Bashkuar dhe Holanda zhvillojnë sot zgjedhjet për deputetët në Parlamentin Europian. Shtetet e tjera të BE-së do të votojnë në data 24, 25 dhe 26 maj, ndërsa rezultatet parapraka pritet të dalin mbrëmjene 26 majit.
Megjithëse MB ka votuar për daljen e saj nga BE, mosarritja e një marrëveshjeje pëër Brexit, e detyron MB-në të organizojë zgjedhje nga ku do të zgjidhen 73 nga 751 euro-deputetë në total në PE. Ndërkohë që Holanda do të votojë për të zgjedhur 26 euro-deputetë.
Në zgjedhjet për parlamentin europian rreth 374 milionë njerëz kanë të drejtën e votës. Megjithatë sondazhet paraprake kanë paralajmëruar një pjesëmarrje të ulët në këto zgjedhje, veçanërisht për shkak të frymës populiste që është përhapur vitet e fundit në vendet europiane.
Po ashtu, edhe të dhënat ndër vite tregojnë një tendecë për pjesëmarrje të ulët: që prej vitit 1979, kur u zhvilluan zgjedhjet e para dhe votuan 62 për qind e votuesve europianë, kjo për qindje është ulur çdo herë e më shumë.
Në zgjedhjet e fundit, pesë vjet më parë, pjesëmarrja ishte 42.5 për qind, pavarësisht fushatave të mëdha dhe debateve televizive nga kandidatët kryesorë.
Çfarë parashikojnë sondazhet?
Nga sondazhet e deritanishme, Partia Popullore Evropiane e qendrës së djathtë (PPE) pritet të marrë më shumë vende me rreth 170 nga 751 në total. Ndërsa në vend të dytë parashikohet të renditen Socialistët dhe Demokratët e qendrës së majtë (S&D) me afërsisht 150 vende. Nëse arrihen këto rezultate në zgjedhje, të dyja grupet kryesore të PE-së humbasin ndjeshëm vende nga sa kanë aktualisht: PPE ka 216 euro-deputetë, ndërsa S&D ka 190 euro-deputetë.
Ndryshe nga dy grupimet kryesore, grupi i partive të ekstremit të djathtë pritet të ketë rritje. Të kryesuar nga Mateo Salvini dhe partia e tij Lega, partitë e djatha euroskeptike Partinë e Lirisë të Austrisë, Frontin Kombëtar të Marine Le Pen në Francë dhe Alternativën për Gjermaninë janë bashkuar nën një grupim të ri të quajtur Aleanca Evropiane e Popullit dhe Kombeve (EAPN) .
Sondazhet paraprake parashikojnë që numri i deputetëve të tyre në këto zgjedhje mund të shkojë mbi 100, duke sfiduar grupin e partive liberale për grupin e tretë më të madh në PE.