Mburrje me afganët ose lopa që derdh kovën me qumësht

Nga Koment nga Genc Pollo
Mburrje me afganët ose lopa që derdh kovën me qumësht

Thënia e Eleanor Roosevelt, zonjës së parë të SHBA para e gjatë Luftës së Dytë Botërore se “Mendjet e mëdha diskutojnë idetë, ato të mesme merren me  gjërat e mendjet e vogla flasin për njerëz” lipset të relativizohet sepse sado mendim të lartë të kesh për mëndjen tënde, është pothuaj e pamundur për një homo sapiens normal të rrijë pa menduar si edhe pa folur për gjëra e për njerëz. Në debatin politik versioni praktik i kësaj maksime është të evitosh “komentin e komentit”. Përndryshe debati kthehet në cicmic e shterpë. 

Mbasi vura siguresën e mësipërme po i lejoj vetes një përjashtim për të komentuar artikullin anglisht të kryeministrit Rama të botuar dje në websitin Project Syndicate.

Së pari, duke tentuar një paralele morale, Rama kujton se shqiptarët strehuan e mbrojtën hebrejtë gjatë pushtimit nazist. Krahasimi çalon në shumë aspekte, por Rama shënon një përmirësim mbasi nuk përmend si më parë paralelen me refugjatë/emigrantë shqiptarë në vitet 1990-1991. Siç e kam elaboruar më herët, kjo paralele e fundit është antihistorike dhe pa kuptim në kontekstin tonë.

Së dyti Rama thotë se Shqipëria ishte vendi i parë në botë që mirëpriti refugjatët afganas, i kujton shteteve anëtare të NATOs përgjegjësitë ndaj Afganistanit, i sfidon që të mos tregohen pa shtyllë kurrizore dhe apelon që t’u japin bashkëpunëtorëve afganas strehë, shpresë e një jetë të re.

Këtu Rama ka një problem serioz me faktet: shtetet e NATOs e kanë evakuar pothuaj të tërë personelin e tyre dhe bashkëpuntorët vendas. Kjo ndodhi midis 15 gushtit, ditës kur ra Kabuli, dhe 30 gushtit, afatit të largimit përfundimtar të forcave amerikane. Kush nuk e ka ndjekur mund të gjejë në internet info të bollshme jo vetëm për Francën, Gjermaninë e Britaninë por edhe për Italinë, Spanjën Poloninë deri tek vende më të vogla si Çekia e Hungaria.

Shqipëria nuk ka bashkëpunëtorë vendas në Afganistan, mbasi nuk ka atje, as ambasadë e as ndonjë tjetër përfaqësi zyrtare. Trupat tona deri në nivel kompanie (gjithsej 2000 ushtarakë gjatë gjithë misionit) janë kthyer në Atdhe prej kohësh.

Pra, ne nuk kemi kë të marrim, ndërkohë që me një retorikë të pakuptimtë i bëjmë  moral atyre që i kanë marrë të vetët.

Por, Shqipëria tok me Kosovën e Maqedoninë e Veriut në Ballkan, e tok me Ugandën në Afrikë e me disa shtete të tjera pranoi të ndihmojë aleatin SHBA që të sistemojnë përkohësisht një pjesë nga kontigjenti afganas i tyre. Fillimisht, refugjatët arritën në Ugandë (25 gusht), pastaj në Shqipëri (27 gusht) e më pas në Kosovë e Maqedoni. Nuk e di nëse këto data e sfidojnë paksa deklarimin e Ramës se jemi “vendi i parë në botë “. Por kjo nuk është çështje e pasaktësisë kronologjike. SHBA e kishte bërë kërkesën për afganasit që në korrik tek një sërë qeverish; ato që pranuan filluan pregatitjet. Rastësia mund t’a  sillte që avioni i parë me afganas “amerikanë” të zbriste në Rinas e që Rama të mos shkruante gënjeshtra të vogla. Por, kjo është pa rëndësi. Pretendimi për lidership moral e predikime NATOs fatkeqësisht e bën kryeministrin të duket një megaloman butaforik. Në një rast kur përunjësia e kombinuar me veprën e mirë mund t’a kishte nxjerrë të nderuar.

Së treti Rama thotë me vend se duhet të kemi një diskutim jo pasionant, se pse erdhën punët kështu në Afganistan. Ky është diskutim kompleks që do të vërë nën lupë synimet e mjetet e Perëndimit gjatë dy dekadave të fundit në Hindukush. Por fatkeqësisht Rama vetë (të paktën në këtë artikull) nuk thotë asgjë konkrete. Disa përvoja specifike të Shqipërisë me disa ndërkombëtarë e projekte mund të sillnin një shpjegim modest dhe këshilla për të ardhmen. Por druaj Rama nuk është personi i duhur për këtë gjë.

Së fundmi për të tërë ata që qortojnë kryeministrin se po e përdor situatën afgane për propagandë e vetëpromovim do të thoja se ata para e pas Ramës zor se do t’i shpëtonin këtij tundimi. E rëndësishme do të ishte sensi i masës, i arsyes e i përunjësisë. Tek mungesa e këtij të fundit e shoh dështimin këto ditë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>