Mbyllet mes kritikash Samiti i G7-ës

Mbyllet mes kritikash Samiti i G7-ës

Samiti i 7 vendeve më të industrializuara ta botës u mbyll të dielën në Cornëall të Britanisë së Madhe mes kritikash.

Vendet premtuan mbështetje për pandeminë, për edukimin, ndryshimet klimatike dhe energjinë e gjelbër, si dhe infrastrukturën.

Por ato gjithashtu tërhoqën kritika për shkak të pamjaftueshmërisë së masave të propozuara dhe mbështetjes.

Kreu i politikave të pabarazisë në organizatën ndërkombëtare OXFAM, Max Lawson, cituar nga Associated Press, e quajti një “turp”.

“Të ballafaquar me urgjencën më të madhe shëndetësore të shekullit dhe një katastrofë klimatike që po shkatërron planetin, kanë dështuar plotësisht për të përmbushur sfidat e kohërave tona,” u shpreh Lawson.

Kritika të ashpra erdhën edhe nga ish-kryeministri britanik, Gordon Brown, që e cilësoi premtimin e G7 për të siguruar 1 miliard vaksina për vendet e varfëra si një “dështim moral të turpshëm” në një kohë që OBSH ka llogaritur se do të duhen 11 miliard vaksina.

Presidenti amerikan Joe Biden, i cili premtoi 500 milion vaksina, iu përgjigj kritikave duke thënë se mbështetja për vaksinat nuk do të kufizohet në premtimet e Samitit.

Po ashtu, vendet ranë dakord për një hetim të ri mbi origjinën e koronavirusit, megjithë diferencat në mendime të shprehura nga presindeti Biden dhe kryeministri britanik Johnson.

G-7 gjithashtu mbështeti propozimin e SHBA-ve për një taksë prej të paktën 15% për kompanitë e mëdha shumëkombëshe për të ndaluar korporatat të përdorin parajsat fiskale për të shmangur taksat.

Përsa i përket ndryshimeve klimatike u miratua plani “Build Back Better for the World” që do të ofrojë financim për infrastrukturë që synon zhvillimin e energjisë së rinovueshme.

Ironikisht, G7-a u prit me protesta nga aktivistët e klimës, të cilët deklaruan se janë të lodhur nga premtimet dhe se nevojitej veprim.

SHBA-të shpresuan gjithashtu të shtrengonin radhët kundër zgjerimit të ndikimit kinez, por ndonëse u ra dakord për t’i tërhequr vëmendjen për shkeljet e të drejtave të njeriut, aleatët evropian nuk ishin aq të ashpër sa Biden kundër Kinës.

Më së shumti, vendet evropiane u dukën të kënaqura për rikthimin në skenën ndërkombëtare të SHBA-ve, pas perjudhës në tërheqje gjatë administratës Trump.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>