Tenderi për Unazën e Re, tetë kompani në garë

Tenderi për Unazën e Re, tetë kompani në garë

Tetë kompani janë në garë për të ndërtuar lotin e parë të Unazës së Re, përfshirë dhe rrethrrotullimin tek Sheshi Shqiponja.

Tenderi për këtë aks rrugor u rihap pas skandalit me kompaninë guackë, DH Albania.

Tenderi u rihap në maj 2019 dhe afati i fundit për dorëzimin e ofertave ishte qershori. Loti i parë përfshin aksin nga Pallati me Shigjeta tek  rrethrrotullimi i Doganës, rreth 2,2 kilometra e gjatë.

Autoriteti Rrugor Shqiptar, institucioni që ka zhvilluar tenderin, po bën aktualisht vlerësimin e tetë ofertave. Sipas portalit APC.al, mes kompanive ofertuese janë dhe kompania Gener 2, Gjoka shpk, Salillari shpk dhe AlbBuilding. Kjo e fundit është kompania që ka bërë ofertën më të ulët me 14 milionë dollarë, ndërsa oferta më e lartë është rreth 18 milionë dollarë, ose sa fondi limit i vënë nga ARRSH.

Ky është tenderi i tretë që ARRSH zhvillon për lotin e parë të Unazës së Re.

Tenderi i parë u zhvillua në nëntor 2018 dhe fituese u shpall kompania DH Albania, e cila u zbulua se ishte kompani fantazëm. Oferta e saj ishte 18 milionë euro për ndërtimin e 2,2 kilometrave rrugë, bashkë me veprat brenda saj.

Ky tender u anulua më 7 dhjetor 2018 nga ARRSH, një ditë pas bërjes publike se kompania amerikane, DH Albania kishte falsifikuar dokumentet.

Më 13 dhjetor, 6 ditë pas zgjidhjes së kontratës mes ARRSH dhe DH Albania – dhe teksa prokuroria sapo kishte nisur hetimet për falsifikimin e dokumenteve, ARRSH rihapi tenderin më të njëjtin fond prej 18 milionë eurosh. Por  në janar 2019, Drejtoresha e re e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato njoftoi se është anuluar për herë të dytë tenderi për lotin e parë të Unazës së Madhe.

Sipas Qatos, asnjë nga kompanitë pjesëmarrëse nuk plotësonte kriteret.

Ndërtimi i Unazës së Re parashikon prishjen e rreth 300 ndërtesave dhe bizneseve në zonën e Astirit, që preken nga gjurma e rrugës. Që prej nëntorit 2018, qindra banorë të kësaj zone protesojnë çdo mbasdite kundër këtij projekti.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>