Banorët dhe pronarët e bizneseve të zonës historike të Vlorës protestuan sot, 15 maj , për mungesën e pastrimti të zonës dhe kanaleve të ujrave të zeza, në zonën historike.
Ata i kërkuan Bashkisë Vlorë, në një deklaratë për median, “pastrimin dhe dezinfektimin e zonës. Puset e hapura pasi është ambjent familjar. Pastrim i kanalizimeve që ndikojnë në mosfrekuentimin e zonës. Endacakët e shumtë në zonë, të cilët janë rrezik për bizneset”.
Mbeturinat dhe era e keqe e kanalizimeve e ka bërë të pamundur frekuentimin e zonës nga qytetarët, duke dëmtuar bizneset.
Qendra historike e Vlorës u restaurua në vitin 2019, me financim të Fondit Amerikan të Zhvillimit. Investimi kushtoi 13 milionë euro dhe përfshiu restaurimin e 68 objekteve të trashëgimisë kulturore.
Kjo zonë u propagandua gjatë fushatës zgjedhore të 25 prillit nga kryeminsitri Rama si shembull i punës së qeverisë së tij.
“Nëse ka një vend ku pse-ja e mandatit të tretë është e ilustruar në të 4 anët ku kthen sytë, është ky qark. Kush e mendonte se do mblidheshim në këtë mjedis kaq të bukur kur këtu ishte një periferi e braktisur në mes të qytetit, një qendër historike, një lagje e degraduar e dorës së fundit dhe ku duhet të kaloje në rresht për një se nuk të linin torbat me mallra të përdorura që ishin në mes të rrugës”, u shpreh Rama më 10 prill, në një takim elektoral në zonën historike.