Më 17 shtator — Opozita dhe banorët e Kukësit, në protestë kundër tarifës së Rrugës së Kombit

Më 17 shtator — Opozita dhe banorët e Kukësit, në protestë kundër tarifës së Rrugës së Kombit

Banorët e Kukësit kanë lajmëruar zhvillimin e një proteste masive në rrugën e Kombit, ditën e henë më 17 shtator, ora 11:00 kundër vendosjes së tarifës së kalimit në Rrugën e Kombit.

Protestës së banorëve të Kukësit do t’i bashkohet edhe opozita. Kryetari i opozitës Basha i bëri thirrje qytetarëve të bashkohen kundër vendosjes së kësaj tarife.

“I bëjmë thirrje qytetarëve të Kukësit të rezistojnë me të gjitha format dhe mjetet, dhe u bëjmë thirrje qytetarëve shqiptarë të qendrojnë fuqishëm, jo vetëm për qytetarët e Kukësit, por dhe për veten e tyre.”— u shpreh Zoti Basha gjatë fjalës së tij në mbledhjen e opozitës në Durrës.

Kryetari i opozitës, gjithashtu shtoi se:

Për Edi Ramën, për lakenjtë e tij në media dhe kudo, koncesioni korruptiv i Rrugës së Kombit është i papranueshëm. Vjedhja e dyfishtë e xhepave të shqiptarëve që kanë paguar me taksat e tyre ndërtimin e Rrugës së Kombit, që paguajnë çmimin më të lartë të naftës në rajon dhe në Evropë, ndërkohë që kanë fuqinë më të ulët blerëse në Europë, është një krim i shumëfishtë.

Partia Demokratike nuk e pranon, opozita e bashkuar nuk e pranon. [..] Nuk ka dhe nuk do të ketë një pengesë të ngritur me duart e shqiptarëve të korruptuar dhe hajdutë të babëzitur si Edi Rama për të zhbërë arterien më të rëndësishme kombëtare në historinë moderne të kombit shqiptar, që është rruga Durrës-Kukës-Prishtinë.

Thirrje për protestë bëri dje edhe deputeti demokrat Agron Shehaj. Zoti Shehaj përmes një postimi në Facebook, lajmëroi se:

Të hënën, në orën 11.00, banorët e Kukësit do të ngrihen përsëri kundër taksës së Rrugës se Kombit, një vjedhje e turpshme e oligarkëve dhe qeverisë së korruptuar.

Ju bëj thirrje të gjithëve, nga e gjithë Shqipëria, t’i bashkohemi protestës dhe t’ju japim një mesazh të qartë pushtetarëve të korruptuar që shqiptarët nuk durojnë dot më!

Më 17 shtator, çdo qytetar i cili do të kalojë në Rrugën e Kombit do të paguajë tarifën prej 5 euro për çdo kalim — përjashtohen nga kjo tarifë banorët e Kukësit, të cilët deri në 44 kalime do paguajnë 100 lekë për kalim dhe pas 44 kalimesh tarifën normale prej 5 urosh. Për mbledhjen e tarifës qeveria ka vendosur në ndihmë të koncesionarit edhe Policinë e Shtetit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>