Me fjalët e veta, Edi Rama në mbrojtje të kriminelëve

Me fjalët e veta, Edi Rama në mbrojtje të kriminelëve

Përballë të gjithë skandaleve të ndodhura gjatë pushtetit të Kryeministrit Rama, ky i fundit gjithnjë ka marrë në mbrojtje të besuarit e tij, edhe pse janë zbuluar fakte që tregonin të shkuarën e tyre kriminale.

Në vend që t’i kërkonte ndjesë qytetarëve që ka përzgjedhur si deputetë e kryebashkiakë njërëz me precedentë penale e me lidhje me krimin, dhe pse jo të jepte dhe dorëheqjen, Edi Rama gjithnjë akuzonte opozitën dhe median për shpifje dhe akuza vetëm për shkak të detyrës.

Në qershor 2016, Kryeministri Rama, në një postim pas bërjes publike të dënimit të Elvis Rroshit në atë kohë Kryetari i Bashkisë Kavajë, në vend që t’i kërkonte falje qytetarëve, përbalti opozitën dhe shprehu vlerësim për figurën e Elvis Rroshit:

“Kam besuar dhe me siguri do të besoj gjithnjë se të trajtosh një njeri si kriminel për vepra që nuk i ka bërë, është kriminale. Ishte kriminale dje dhe mbetet kriminale sot e gjithmonë, çdo shpifje, akuzë, fabrikim që synon të kriminalizojë një person për shkak të detyrës. Edhe Elvis Roshin!”

Në gusht 2016, Kryeministri Edi Rama, në përgjigje të akuzave të opozitës për përfshirjen në trafik ndërkombëtar droge të vëllait të deputetit Fatmir Xhafaj, në atë kohë drejtues i Komisionit për Reformën në drejtësi, e quante Agron Xhafajn “një njeri që jeton me punën e tij të ndershme”:

 “Saliu e ka ndërmarrë fushatën e tij të ndyrë të radhës këtë herë, për të baltosur Fatmir Xhafajn! Dhe në stilin e tij të vjetër e të neveritshëm bolshevik, ka ngritur një akuzë mbi një histori të sajuar këmbë e krye, për të vëllanë e Fatmirit. Një histori me drogë venezuelane, për babain e dy fëmijëve që është në punën e tij të ndershme dhe ka vetëm një faj:Eshtë vëllai i njeriut që drejton Komisionin e Posaçëm Parlamentar për reformën më të rëndësishme dhe më të vështirë të 25 vjetëve të fundit!”

Po njësoj dhe në rastin e ish-ministrit Tahiri, edhe pse janë publikuar prova për lidhjen e ish-ministrit të Brendshëm Tahiri me organizatën kriminale ndërkombëtare të trafikimit të drogës të vëllezërve Habilaj, Kryeministri Rama vazhdon të njëjtën sjellje: të mbrojë pushtetarin me lidhje kriminale dhe të mos pranojë në asnjë çast përgjegjësinë për promovimin e tij në politikë.

Dy ditë më parë, Kryeministri Rama u shpreh:

“Ajo që di unë është kjo: Katania ka hetuar një grup kriminal dhe gjatë hetimit ka pasur biseda mes anëtarëve ku përmendej ministri i brendshëm. Deri më sot prokuroria e Katanias nuk ka hedhur asnjë hap lidhur me Tahirin. Pa pasur një provë nuk mund të thuash “hajde ta çojmë në burg dhe shohim.”

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>