Më mirë një kafshim gjarpri apo një infeksion nga koronavirusi?

Nga Carloalberto Rossi dhe Giorgio Saibene
Më mirë një kafshim gjarpri apo një infeksion nga koronavirusi?

Televizionet e të gjithë botës po na bombardojnë me lajme për të vdekurit apo të rinjtë e goditur nga COVID-19, me llogaritë e përditësuara të të prekurve, të shëruarve, të vdekurve, të karantinuarve, të intubuarve, për të vazhduar me numrin e pakët të shtretërve të reanimacionit e duke e mbyllur me lajmin për vdekjen e një tetëdhjetvjeçareje australiane të prekur nga virusi i pamëshirshëm.

Në kohën e prindërve tanë, një vdekje në qytetin pranë merrej vesh pas disa muajsh, ndërsa lajmi për një të vdekur emigrante në Australi mund të merrej vesh ndoshta pas disa vitesh.

Sot jo, sot përmes rrjeteve sociale dhe televizioneve që nuk japin asnjë lajm tjetër, jemi të detyruar të regjistrojmë në trurin tonë dhe të trishtohemi edhe për vdekjen e një thuajse 90-vjeçareje që jetonte në një shtëpi të moshuarish për besimtarët kristian-baptistë në ndonjë cep të Uellsit të Ri të Jugut.

Nëse nuk e dini se ku bie Uellsi i Ri i Jugut, mos u shqetësoni, ndoshta nuk e dinte më as ajo vetë, dhe kjo nuk i shërbeu për t’ia zgjatur jetën dhe nuk do të na shërbejë as ne për të jetuar më të qetë.

Në botën e sotme, të populluar nga 7,7 miliardë njerëz (OBSH 2020), vdesin çdo vit rreth 60 milionë njerëz, prej të cilëve mbi 90 për qind janë vdekje nga sëmundje të ndryshme. Për ta kuptuar më mirë, është sikur në një vit të vdesë e gjithë popullsisa e Italisë. Ose për të bërë një krahasim më të thjeshtë, në SHBA vdesin në vit aq shumë njerëz sa jetojnë në të gjithë Shqipërinë: një tragjedi e vërtetë.

Por një diskutim i vështirë dhe delikat si ai i vdekjes nuk mund të bëhet vetëm nga pikëpamja sasiore—nëse vdes një mik, ose një i afërm, fakti se fati i tij është i njëjtë me atë të shumë personave të tjerë nuk është ngushëllim, dhe atëherë nuk mund të mos bëjmë vlerësime cilësorë.

Le të shohim si vdesin të gjithë këta të pafatë, sepse është ndryshe të vdesësh nga koronavirusi në një shtrat spitali pa asnjë nga të afërmit e tu afër, dhe ndryshe nga bllokimi i frymëmarrjes duke bërë seks ekstrem si në filmin “Perandoria e Ndjesive”, gjë që në fakt u ndodh çdo vit 1 200 amerikanëve.

Në Itali, si në të gjithë vendet e zhvilluara, aksidentet shtëpiake përfaqësojnë një rast emblematik me 3 milionë aksidente (sipas INSTAT 2019) ku përfshihen rreth 3,5 milionë persona, nga të cilët vdesin 8 mijë persona çdo vit. Për këto vdekje nuk pyet askush edhe pse bëhet fjalë për një batërdi vdekjesh nga rrëshqitjet në dush, rrëzimi nga shkallët, apo gëlltitja gabimisht e sodës kaustike.

Janë vdekje të palavdishme, por përsëri janë vdekje.

Edhe në këtë rast, si në rastin e koronavirusit, pjesa më e madhe e viktimave, tre në katër, janë persona mbi moshën 65-vjeçare, por për ta, në ndryshim nga e moshuara në Australi, nuk gjen asnjë përmendje në media, madje as në Facebookun e fqinjve.

Në Evropë, aksidentet rrugore shkaktojnë 27 mijë të vdekur në zonën Shengen çdo vit—40 mijë nëse përfshijmë vendet e Evropës Lindore anëtare të BE-së; në të gjithë botën në vit vdesin rreth 1,24 milionë persona (sipas OBSH-së 2017) nga aksidentet rrugore.

Është njësoj sikur çdo dy vjet të vdesë e gjithë Shqipëria.

Por ne jemi mësuar dhe prekemi nëse bëhet fjalë për ndonjë të afërmin tonë, por nuk ndalojmë asnjëherë më shumë se një çast për të reflektuar mbi faktin.

Vdekja e mundshme në aksident me makinë është jo vetëm një rrezik i pranuar në shoqërinë tonë, por është si të ishte një vdekje me nder, mundësuar nga zhvillimi teknologjik dhe ekonomik që ka zëvendësuar vdekjen e kalorësit në luftë. Të konsideruara si histori trimërie, apo pavetëdijeje, ato prodhojnë pak zemërim dhe akoma më pak ndryshim në mënyrën tonë të jetës tonë të përditshme.

Vdekjet në punë janë rreth 50 mijë çdo vit vetëm në BE, ndërsa në botë pati rreth 94 mijë të tilla sipas të dhëna zyrtare të Organizatës Ndërkombëtare të Punës në vitin 2017. Në Itali kanë vdekur 1 400 persona nga aksidentet në punë më 2017, gati 4 persona në ditë.

Natyrisht, të vdesësh në punë, qoftë edhe duke u rrëzuar nga skelat e ndërtimit të ndërtesës më spektakolare në botë, nuk është vdekje aq e lavdishme sa të përplasësh me një mercedes me 200 kilometra në orë, por patjetër që dikush mund të bëjë diçka për të ulur numrin e vdekjeve në punë. Në fakt, në shumë vende, ka institucione që vendosin rregulla dhe monitorojnë, por kur dikush vdes, raportet e tyre zakonisht tregojnë se gjithçka ishte në rregull… dhe askush nuk zemërohet shumë.

Shtete e Bashkuara të Amerikës shënojnë çdo vit një numër shumë të madh vdekjesh nga abuzimi me substancat narkotike dhe farmaceutike, prej të cilave vdesin rreth 67 mijë persona çdo vit; atyre u  duhen shtuar edhe mbi 13 mijë vdekje të tjera që vinë direkt nga abuzimi me alkoolin—në total, 80 mijë persona në vit vetëm nga droga dhe alkooli, njësoj sikur çdo vit të zhdukej e gjithë Shkodra.

Por mbrojtësit e të drejtave të njeritu kundërshtojnë ndalimin e plotë të drogës.

Një milion persona vdesin çdo vit në botë nga HIV, por këto nuk bëjnë thuajse fare lajm, e aq më pak skandal.

Në Afrikë, me një popullsi prej 1,3 miliardë njerëzish, nga të cilët 35 për qind janë nën moshën 29 vjeçare, përveç sëmundjeve endemike që sjellin miliona të vdekur, kryesisht për shkak të mungesave së infrastrukturës, higjenës dhe ushqimeve, ndodhin dhjetra mijëra vdekje aksidentale për shkak të plagosjeve nga kafshët.

Edhe hipopotamët që pak kush i dyshon shkaktojnë çdo vit 2 900 viktima vetëm në Afrikën ekuadoriale, të cilëve u shtohen çdo vit mesatarisht 2 mijë viktima të sulmeve nga krokodilët.

Në Indi, nga vlerësimi i qendrës së veterinarisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë ndodhin 5 mijë sulme vdekjeprurëse nga gjarpërinjtë, mesatarisht një në çdo 10 minuta. Por dihet që Afrika dhe India janë vende ku jeta e njeriut nuk vlen shumë, dhe, për më tepër, janë vende të largëta, dhe pastaj janë edhe pak vende të egra, e kush duhet të mallëngjehet për to?

Por edhe kafshët shtëpiake e blegtorale, shoqërues loje apo furnizues të ushqimeve jetësore për gjithë popullsisë e botës, shkaktojnë humbje të jetëve njerëzore. Çdo vit në botë vdesin 30 mijë persona nga kafshimet e qenve dhe 20 mijë nga lopët dhe buajt. Fatkeqësi thonë, dhe nuk e vrasin më mendjen për ta.

Fatmirësisht, ka vetëm disa dhjetra persona që vdesin nga peshkaqenët. Falë filmave dhe paralajmërimeve të shumta, peshkaqenët konsiderohet një rrezik i vërtetë, dhe për mbrojtjen prej tyre shpenzohen shumë para, gjë që nuk ndodh për mizat dhe mushkonjat, të cilat vrasin çdo vit një milionë njerëz në botë nga malaria, deng dhe tse-tse.

Por ambientalistët italianë dënojnë Musolinin sepse zhduku në Itali mushkonjën anofele, mbartëse të malaries, që sipas tyre kishte të drejten të jetonte si çdo specie tjetër.

Çdo vit në botë vdesin rreth 9 milionë persona nga sëmundje infektive ose nga sëmundje pulmonare, nga të cilët 45 mijë në Itali, afërsisht aq në Francë, rreth 80 mijë në Gjermani e po aq në Britani. Mes këtyre numrave, këtë vit do të jenë edhe të vdekurit nga koronavirusi—shumë prej tyre do të kishin përfunduar njësoj në këto statistika, edhe pa u prekur nga koronavirusi, por më me pak bujë, më pak shpenzime, e më pak dëme kolaterale për ekonominë dhe shoqërinë.

Por për koronavirusin, në një histeri dhe demagogji në rritje, po vrasim ekonominë europiane, me kosto që do të kërkojnë shumë vite për t’u rikuperuar. E gjithë kjo për të arritur rezulate që do të jenë të vështira të perceptohen qartë dhe që, për fatin e vendim-marrësve, të pamundura për t’u demonstruar.

Vetëm në SHBA në vitin 2018, ndodhën 1,8 milionë vizita në urgjenca nga persona të dëmtuar nga rrëzimi nga krevati gjatë natës, por a mendoni se është marrë ndonjë vendim për të shkurtuar këmbët e krevateve?

Megjithatë, mos u tregoni budallenj, qëndroni në shtëpi se është më mirë.

Nuk ju takon juve të vendosni edhe për të tjerët, nëse nuk jeni dakord me politikën e qeverisë tuaj mbajeni mend kur të shkoni të votoni. Tani bëhuni të përgjegjëshëm dhe të disiplinuar, sepse përndryshe do të mund të kemi, madje do të kemi kosto dhe dëme të dukshme.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>