Me mjetet e duhura mund të ishin shpëtuar më shumë jetë

Nga Gerard Gega
Me mjetet e duhura mund të ishin shpëtuar më shumë jetë

Operacionet e kërkim-shpëtimit u mbyllën me bilancin e rreth 50-të të vdekurve nën rrënoja. Përpjekja e punonjësve shqiptarë dhe të huaj të emergjencave, i shpëtoi jetën rreth 45 njerëzve, por a mund të ishin shpëtuar më shumë? Po…

Nëse qeveria do t’i kishte marrë seriozisht rreziqet nga faktorët natyrorë. Nëse do të kishte përshpejtuar reformimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, dhe mbi të gjitha, nëse do të kishte investuar në pajisje dhe trajnime, mund të ishin shpëtuar më shumë njerëz.

Një ushtar shqiptar ka vënë kokore biçiklete për t’u siguruar, të tjerët janë edhe pa doreza.

Plani i vjetër Kombëtar i Emergjencave thoshte se:

“Nëse njerëzit mbeten brenda strukturave të dëmtuara, duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur operacione profesionale kërkim-shpëtimi, duke pasur parasysh se 24-48 orët e para janë “orët e arta”, kohë gjatë së cilës mund të shpëtohen pjesa më e madhe e njerëzve.”

Krrikë sigurie të vendosura për të ruajtur Klement Çupin, i cili ndërroi jetë nga plagët.

Pas tërmetit të 26 nëntorit ekipet e kërkim shpëtimit, që iu dërguan fatkeqëve, kishin mangësi dramatike të mjeteve minimale për zhvillimin e operacioneve të tilla.

Reuters/Policë, ushtarë, minatorë dhe qytetarë duke ndihmuar një të mbijetuar nga tërmeti.

Fatkeqësisht “orët e arta” u konsumuan pa rezultatin e dëshiruar, pasi energjia e qindra njerëzve që kishin vullnetin dhe dëshirën e mirë për të shpëtuar jetë u shpenzua kot. Analizojmë më poshtë.

Punonjës ndërtimi duke drejtuar operacion kërkim-shpëtimi.

Në Thumanë pas tërmetit u dërgua policia, Reparti i Inspektoriatit të Shpëtimit në Miniera (RISHM) dhe kompania private e ndërtimit, Bami. Me ndihmën e një eskavatori, ata dhe disa banorë të zonës nisën të kërkonin për fatkeqët. Por ata nuk kishin staf dhe logjistikë mjekësore të ndihmës së parë, qen kërkues, kamera termike, apo aparate me ultratinguj për pikasjen e lëvizjeve.

Thumanë, qytetarët kërkojnë në rrënoja me drita celulari.

Në fillim kërkimi u bë duke dëgjuar thirrjet e atyre që ishin zënë poshtë, por pasi kaluan shumë orë dhe thirrjet u zbehën, askush nuk kishte dijeni si të sillej, ku mund dhe ku nuk duhej të vendoste peshë.

Qytetarë dhe forca shqiptare gjatë kërkim-shpëtimit në Thumanë.

Angazhimi për gjetjen e fatkeqëve u bë pa masa paraprake sigurie, pa siguruar perimetrin, pa doreza, kokore apo litarë dhe pa pasur ndriçues dore apo koke.

Fatkeqësisht situata nuk ndryshoi shumë edhe pasi në vendngjarje mbërritën forca të ushtrisë, policisë dhe kompanive të tjera private.

Ushtarë dhe punonjës të kompanisë private TETE gjatë operacionit të kërkim-shpëtimit.

Momenti kur punonjës të policisë dhe Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera nxjerrin me batenije disa prej fatkeqëve tregon se çfarë mjetesh kishin grupet shqiptare të kërkim-shpëtimit. E kotë të flasim për ekipet e huaja pasi dallimi është i madh. Për shembull ekipi rumun ngriti dhe koordinoi barrela lëvizëse të fiksuar në sistem litarësh.

Dallimi i mjeteve që u përdorën nga punonjës të AKSEM në Thumanë dhe ekipi rumun në Durrës.

Lëvizja dhe spostimi i rrënojave me duar, lopata dhe kova plastike ishte mision i pamundur, i cili u mori kohë njerëzve që ishin zënë poshtë.

Policë, ushtarë, punonjës privatë dhe qytetarë duke u munduar të nxjerrin fatkeqë nga rrënojat.

Ardhja e ekipeve të huaja të kërkim-shpëtimit plotësoi disa nga mangësitë kryesore. Ekipi italian i kërkim-shpëtimit ofroi pajisje gjurmuese, ekipi francez ofroi krrik ngritës, ekipi rumun dhe ekipi grek logjistikë të ndihmës së shpejtë, ekipi kroat dhe ai zviceran ofruan skuadra qensh kërkim-shpëtimi. Falë angazhimit të tyre dhe skuadrave të tjera, turke, serbe, malazeze, veriomaqedonase etj, në orët më kritike u mund të identifikoheshin disa vende ku mbeteshin njerëz të zënë nën rrënoja.

Pajisjet që i mungonin ekipeve shqiptare të kërkim-shpëtimit.

Fatkeqësisht “orët e arta” kaluan dhe nga operacion shpëtimi, u kalua në operacion kërkimi të viktimave.

Pse ekipet shqiptare të kërkim-shpëtimit nuk kishin pajisje?

Qeveria reformoi strukturat e emergjencave civile, por sipas Monitor, vonoi në plotësimin e kuadrit ligjor me akte dhe VKM.

Organizimi i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, e cila do të zëvendësonte Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile, u miratua me urgjencë vetëm pas tërmetit të 26 nëntorit.

Më herët, në tetor, Kryeministri Rama ia kaloi si funksion organizimin dhe menaxhimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit, policisë vullnetare. Këta të fundit si kriter kualifikues kanë arsimin e detyrueshëm bazë dhe Akademinë e Sigurisë, pra nuk mund të jenë profesionistë.

Kjo situatë kaotike nga ana ligjore e la vendin të pa organizuar në situatat e fatkeqësive natyrore.

Përveç kësaj, emergjencat nuk kanë qenë në fokusin e qeverisë për sa i përket investimeve. Tenderat më të mëdha kanë qenë 23 milionë euro për uniforma, apo 21,5 milionë euro karburant.

Makinat e reja të policisë prezantuar mbrëmjen e 25 nëntorit në Sheshin Nënë Tereza.

Së fundmi Policisë i janë blerë rreth 50 makina të gjeneratës së tretë (pas vitit 2017) Land Rover. Këto automjete u ekspozuan në Sheshin Nënë Tereza një natë përpara tërmetit të 26 nëntorit.

Makinat model “Discovery L462” kushtojnë rreth 50 mijë euro, çka do të thotë se së fundmi 2,5 milionë euro kanë shkuar për automjete të policisë. Nëse këto shifra do t’i ishin kaluar emergjencave, e sigurt do të ishte që së paku, viktimat nuk do të nxirreshin me batenie nga rrënojat.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>