Me ritmin e tanishëm, vetingu do dhe 8 vjet të përfundojë

Me ritmin e tanishëm, vetingu do dhe 8 vjet të përfundojë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit po e kryen procesin e vetingut me ritëm shumë të ngadaltë, madje dhe disa prej magjistratëve “prioritarë”, përfshi anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ende presin të vetohen.

Gjatë javës së tretë të janarit (14-20 janar), KPK nuk zhvilloi asnjë seancë dëgjimore, ndërsa javën e kaluar janë zhvilluar vetëm dy seanca, përkatësisht me prokurorët Donika Prela dhe Altin Binaj. Mesatarisht, duke llogaritur që nga momenti që u hap dosjen e parë më 1 dhjetor 2017, KPK ka zhvilluar 1,6 seanca në javë, pra me më pak se dy magjistratë në javë.

Grafiku i mëposhtëm tregon numrin e seancave të KPK-së për javë (me blu) deri më tani, si dhe mesataren e përgjithshme(me të kuqe):

Përpara se të fillonte vetingu, në sistemin e drejtësisë numëroheshin rreth 800 magjistratë. Gjatë vitit të kaluar KPK ka zhvilluar 97 seanca. Po të supozojmë së KPK do të ecë më të njëjtin ritëm si tani, për vetingun e 700 magjistratëve të mbetur do të duhen 438 javë. Duke zbritur ndonjë dorëheqje gjatë rrugës ose dalje në pension, KPK-së do t’i duhen 8 vjet për të mbyllur procesin e vetingut.

Sipas këtyre llogarive dhe pa marrë parasysh ankimimet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, faza e parë e vetingut, ajo e përballjes me KPK-në, mbaron në fillim të vitit 2027. Aktualisht, rreth 30 për qind e vendimeve të KPK-së ankimohen në KPA. Procesi i apelimit, deri më tani, ka treguar se kërkon edhe më shumë kohë se procesi në KPK për t’u mbyllur.

Por ky nuk është problemi i vetëm. Të dhënat e procesit të vetingut, deri më tani, tregojnë se rreth 50 për qind e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë shkarkuar ose kanë dhënë dorëheqjen.

Nëse ky trend vazhdon, në fund të vetingut, rreth 400 gjyqtarë dhe prokurorë do të jenë larguar nga sistemi i drejtësisë.

Kjo do të thotë se Shkolla e Magjistraturës, që nga ky vit, do të duhet të nxjerrë 50 të diplomuar në vit për të kompensuar këto largime. Në realitet ky numër duhet të jetë shumë më i lartë, për shkak të kohëzgjatjes së programit të studimit dhe dosjeve të prapambetura në gjykata, të shkaktuara nga procesi i ngadaltë dhe i rrëmujshëm i reformës në drejtësi. Vetëm në Gjykatën e Lartë ka aktualisht rreth 29 mijë dosje të prapambetura.

Për më tepër, vetingu do të prodhojë një system gjyqësor me një balancë gjinore mjaft të ndryshme nga sistemi i sotshëm. Nga magjistratët e vetuar deri më tani, 30 për qind kanë qenë femra, ndërsa 70 për qind janë meshkuj. Megjithëse më të pakta në numër, magjistratët femra kanë dy fish më shumë gjasa që të konfirmohen në detyrë. Deri më tani, 80 për qind e magjistratëve femra që janë përballur me KPK-në janë konfirmuar në detyrë, ndërkohë që vetëm 42 për qind e magjistratëve meshkuj e kanë kaluar vetingun.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>