Ura Vajgurore nuk është e vetmja nga Bashkitë ku socialistët rezultojnë të kenë fituar me një numër më të madh votash krahasuar me numrin e votuesve të raportuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Duke iu referuar kësaj liste që tregon se sa votues ishin deri në orën 19:00 të 30 qershorit, rezulton se në total janë 11 bashki, të cilat janë fituar me një trend të tillë me më shumë vota se votues.
Kështu përveç Urës Vajgurore, ku Partia Socialiste fitoi me 129%, njëjtë u fituan bashkitë Vorë, Memaliaj, Malësi e Madhe, Lushnje, Himarë, Divjakë, Bulqizë, Vau i Dejës, Gramsh dhe Selenicë.
Në Vorë, socialisti Agim Kajmaku u shpall fitues me 6 208 vota, por sipas listës së KQZ-ës, në këtë Bashki votuan 6 120 persona. Sipas KQZ-ës Vora u fitua me 88 vota më shumë se sa votues, pra socialistët fituan me 101%.
Në Memaliaj socialisti Gjolek Guci fitoi me 4 206 vota, por numri i votuesve qe 4 150. Sipas KQZ Memaliaj u fitua me 56 vota më shumë se sa votues, pra njëjtë si në Vorë socialistët fituan me rreth 101%.
Në Malësi të Madhe, socialisti Tonin Marinaj fitoi me 7 772 vota, ndërkohë që kandidati tjetër Pjerin Spathari kishte marrë 493 vota. Por për këtë Bashki, KQZ pati thënë se paten votuar 7 600 persona. Nëse i bashkojmë votat e gjetura në kuti, totali bën fjalë për 8 265 vota, 665 më shumë se sa qe raportuar.
Në Lushnje, socialisti Fatos Tushe fitoi me 28 086 vota, por KQZ pati raportuar 27 243 votues. Kandidati i vetëm socialist u votua me 843 vota më tepër. PS e fitoi Lushnjen me 103%.
Në Himarë Jorgo Goro gjithashtu kandidat i vetëm socialist, fitoi me 4 209 vota, por KQZ kishte raportuar 4 162 votues. Goro fitoi me 47 vota më tepër se sa ishin zgjedhësit e raportuar. Kështu socialistët e fituan edhe Himarën me rreth 101%.
Në Divjakë Pandi Kokoneshi fitoi me 13 513 vota, por KQZ kishte raportuar 13 000 pjesëmarrës në zgjedhje. Me 513 vota më shumë socialistët e fituan Divjakën me 103%.
Në Bulqizë socialisti Lefter Alla fitoi me 7 529 vota teksa për këtë Bashki KQZ kishte raportuar 7 500 pjesëmarrës në zgjedhje. Nëse shtojmë dhe 543 votat që rezultuan për kandidatin tjetër Ilir Balla, në këtë Bashki u gjetën 562 vota më tepër.
Në Vaun e Dejës kandidati i vetëm socialist Mark Babani fitoi me 6 223 vota, por KQZ për këtë Bashki raportoi se deri në orën 19:00 kishin marrë pjesë 5 166 votues. PS e fitoi Vaun e Dejës me 120%.
Në Selenicë socialisti Pëllumb Binaj fitoi me 5 819 vota, por kandidatët e tjerë, Marildo Hodaj dhe Shahin Celaj, të cilët morën 401 dhe 73 vota bënë që numri i përgjithshëm i fletëve të votimit të shkonte 6 293, 93 më shumë se sa KQZ pati raportuar për pjesëmarrjen.
Në Gramsh ky numër ishte me 129. Socialisti Klodian Tace kishte 8 471 vota, ndërsa Ismail Ibrahimi 605. KQZ kishte raportuar 8 947 votues.
Nga të gjitha këto raportime bie në sy fakti se jo vetëm numri i fletëve të votimit është më i lartë se ai i pjesëmarrjes, por që gjithashtu nuk reflektohen aspak vota të pavlefshme. Vlen gjithashtu të theksohet fakti se KQZ e publikoi numrin e pjesëmarrjes zyrtarisht rreth 3 orë pas përfundimit të procesit të votimeve.