Media ndërkombëtare ka shkruar për vetëdorëzimin e Klement Balilit, i njohur në Greqi me emrin “Eskobari i Ballkanit”.
Agjencia Reuters, në artikullin me titull “I akuzuari si lordi shqiptar i drogës dorëzohet në polici” shkruan:
“Një prej trafikantëve të drogës më të kërkuar në Shqipëri, vetëdorëzohet në polici, pas pothuaj tre vjetësh në arrati. Në shkurt 2017, trysnia e aleatëve perëndimorë e detyroi Shqipërinë të mblidhte Këshillin e Sigurisë dhe ta kthente kapjen e Balilit në prioritet të vendit, pasi rrethi i tij i trafikimit të drogës ishte përhapur dhe në vendet fqinje dhe aleate të NATO-s.”
Jerusalem Post shkruan:
“Një nga trafikantët më të kërkuar të drogës në Shqipëri u dorëzua në polici të martën pas pothuajse tre vjetëve në arrati me akuza për trafik droge nga Greqia fqinje. Klement Balili i ishte shmangur arrestimit që nga maji i vitit 2016, falë rrjetit të tij të mbështetjes në zonën jugore bregdetare të Sarandës dhe lidhjeve të dyshuara politike, duke hedhur dyshime mbi vendosmërinë e Shqipërisë për anëtarësimin e NATO-s në luftimin e lordëve të krimit”
Gazeta gjermane Der Spiegel gjithashtu shkruan:
“Për një kohë të gjatë ai arriti të arratisej nga kthetrat e policisë: Tani, koka e mafias shqiptare të drogës, Klement Balili është dorëzuar pranë qytetit jugor shqiptar të Sarandës. Ai u konsiderua si një prej krerëve më të kërkuar të drogës në botë.”
Ndërsa Agjencia e Pavarur e Lajmeve Ballkanike vë theksin tek fakti se ishte ish-Kryeministri Berisha ai që lajmëroi i pari vetëdorëzimin e Balilit duke ja prishur qeverisë planin për ta paraqitur atë si një arrestim të bujshëm:
“Çdo gjë ishte gati, përfshirë dhe dhomën e shtypit në ministrinë e Punëve të Brendshme, ku do të shfaqeshin të gjithë zyrtarët e lartë të policisë, përfshirë dhe ministrin Sander Lleshaj. Ishte një plan pompoz, si çdo gjë tjetër që bën ekipi i PR-it të qeverisë.
Por një mesazh që mbërriti në tek ish-kryeministri Berisha shkatërroi gjithçka dhe mbi të gjitha, mundësinë e artë për ta bërë dorëzimin e Klement Balilit të dukej si një arrestim pas një operacioni të gjerë të policisë.
Në këtë mënyrë, Sali Berisha arriti të sfidojë qeverinë dhe të shkatërrojë planin e Sander Lleshajt për tu mburrur me “arrestimin” e Balilit, i cili njihet edhe si Escobar i Ballkanit.”