Media mund të publikojë të dhënat personale në emër të interesit publik

Nga Exit News
Media mund të publikojë të dhënat personale në emër të interesit publik

Gjatë kësaj jave, në media u publikua një tabelë me të dhënat e më shumë se 910,000 votuesve. Kjo tabelë përmbante numrin e kartës së identitetit, numrin e telefonit, datën e lindjes, dhe vendin e punës. Të dhënat dyshohen se janë marrë nga Regjistri Civil dhe i janë dhënë Partisë Socialiste për t’u përdorur në fushatën zgjedhore.

Publikimi i të dhënave personale nga media dhe më pas shpërndarja te të gjithë qytetarët është shkelje e të drejtës për një jetë private, të parashikuar nga Kushtetuta, Konventa për të Drejtat e Njeriut, me përjashtimin kur publikimi i këtyre të dhënave përbën interes publik.

Pra, sipas ligjeve në vend, media mund të  të publikojë të dhënat  kur arrin të provojë se mospublikimi i këtyre të dhënave cenon lirinë e shprehjes.

Ruajtja, ndalimi dhe publikimi i të dhënave personale përcaktohet nga:

— Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, e cila parashikon se të dhënat personale mund të publikohen vetëm për interes publik.

— Kushtetuta, e cila përcakton në nenin 35 se askush nuk mund të detyrohet të bëjë publike të dhënat personale dhe se “mbledhja, përdorimi dhe bërja publike e të dhënave rreth personit bëhet me pëlqimin e tij, me përjashtim të rasteve të parashikuara me ligj.”

— Ligji për të dhënat personale, i cili ndalon publikimin e të dhënave personale pa pëlqimin e personit apo kur nuk ekziston interesi publik. Ky ligj parashikon se të dhënat mund të përpunohen — grumbulllohen, ndryshohen apo tranferohen — për qëllime gazetarie vetëm nëse ndalimi për t’i përpunuar cenon lirinë e shprehjes.

Bërja publike e çfarëdo të dhëne, qoftë edhe të një personi të vetëm, nga mediat, ka shkelur të drejtat e personit në fjalë dhe ligjin, pasi publikimi i tyre nuk ka të bëjë me interesin publik: lajmi i mbledhjes nga PS të të dhënave personale mund të jepet duke i fshehur të dhënat personale nga publikimi.

Nga ana tjetër, Ligji për të dhënat personale detyron Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile si autoriteti kryesor të ruajë të dhënat personale dhe të marrë masa që këto të dhëna të jenë të fshehta.

Në këtë rast, ky institucion ka dështuar duke lejuar transferimin e të dhënave tek Partia Socialiste pa pëlqimin e qytetarëve dhe duke shkelur ligjin.

Përhapja e të dhënave personale është vepër penale e dënueshme, parashikuar në nenin 121, të Kodit Penal.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>