Media në Shqipëri kontrollohet nga një grusht njerëzish

Media në Shqipëri kontrollohet nga një grusht njerëzish

Tregu mediatik në Shqipëri është i deformuar, është përqendruar në duar të pak familjeve, dhe funksionon pa rregulla mbrojtëse për gazetarët, të cilët për të ruajtur vendin e punës përdorin autocensurën.

Këto janë përfundimet kryesore të studimit investigativ “Monitorimi i Pronësisë së Medias- Shqipëri”, i kryer 3 muajt e fundit nga Rrjetet Ballkanike të Raportimit Investigativ në Shqipëri (BIRN Shqipëri) dhe Reporterët pa Kufij.

Kristina Voko, Drejtoreshë Ekzekutive e BIRN, Shqipëri, gjatë prezantimit të studimit, u shpreh se ky studim shpartallon mitin sipas të cilit “pavarësisht mangësive, mediat shqiptare përfaqësojnë një shumëllojshmëri pikpamjesh.” Në të vërtetë një grusht familjesh  arrijnë më shumë se gjysmën e publikut dhe marrin 90 për qind të të ardhurave në tregun mediatik shqiptar.

Disa nga gjetjet kryesore të studimit të BIRN janë:

Ku po shkon media në Shqipëri?

E  zotëruar dhe kontrolluar nga disa familje, media po humbet vlerat dhe rolin e sa në një  vend demokratik, si Shqipëria që aspiron hyrjen në BE.

Olaf Steenfadt, Drejtor i studimit  u shpreh:

“Pas dekadash të tranzicionit dhe përpjekjeve të shumta nga aktivistë të shoqërisë civile brenda Shqipërisë si edhe të kontributeve të konsiderueshme të bashkësisë ndërkombëtare, peizazhi i medias duket se po rrëshqet dhe po ikën larg nga rruga e pavarësisë, pluralizmit dhe qëndrueshmërisë .”

Monopolet në media

Gjetjet e studimit tregojnë nivele jashtëzakonisht të larta përqendrimi të tregut mediatik shqiptar. Katër pronarët kryesorë në median televizive kapin gjysmën e publikut/audiencës totale, nga 48.93 për qind në 58.60 për qind. Tri familje mbajnë pesë licensat e transmetimit digjital, nga të cilat vetëm një familje ka marrë tri licensa. Në këtë mënyrë Autoriteti Rregullator i Medias, praktikisht, ka nënshkruar një monopol.

Në tregun e radios, katër pronarë kontrollojnë dy të tretat (rreth 63.69 për qind) të audiencës.

Në shtypin e shkuar, katër pronarët kryesorë kanë lexues të kombinuar në masën 43.29 për qind.

12 gazeta të shtypura të përditshme kanë një pronar të vetëm, që zotëron mbi 54 për qind të tregut.

Botuesit e katër gazetave kryesore kontrollojnë 86.5 për qind të tregut të shtypit të shkruar , të kombinuar.

Në total, tetë pronarë kryesore në television, radio, media të shkruar dhe internet kanë një audiencë nga 72,1 deri në 80,1 për qind.

Përqëndrimi i lartë i tregut mediatik vetëm në disa pronarë

Sipas studimit, tregu mediatik shqiptar është i vogël dhe i mbingarkuar. Si pasojë e kësaj gjendje, media ndodhet nën presion të ashpër ekonomik.

Përqëndrimi në tregun komercial të  katër pronarëve më të mëdhenj shkon në 89.6 për qind – ku vetëm dy më të mëdhenjtë kontrollojnë më shumë se dy të tretat e tregut ose 71.7 për qind të tregut – dhe arrijnë në 94 për qind nëse përfshihen edhe ofruesit e rrjeteve digjitale dhe transmetuesi publik.

Ligje që anashkalohen

Megjithëse tregu audio-vizual rregullohet me ligj, shumica e ekspertëve të medias e perceptojnë organin e tij rregullator, Autoritetin e Mediave Audio-Vizuale, (AMA) si një institucion nën ndikimin e drejtpërdrejë ose të tërthortë të aktorëve politikë dhe të korporatave.

Studimi vëren se në ligjin për media audio-vizive, që kufizon sasinë e aksioneve dhe të drejtave të votimit në çdo kompani televizive shtesë, si dhe sasinë e reklamave, këto kufizime nuk janë të paqarta. Po ashtu në ligj nuk ekziston një përkufizim i qartë i monopolizimit të medias.

Një nen i rëndësishëm i ligjit, që kufizonte deri në 40%  sasinë e aksioneve që mund të merrte një personi apo entitet në një stacion televiziv kombëtar, u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2016.

Presioni ndaj gazetarëve

Sipas investigimit, në Shqipëri kontrolli politik mbi median është i lartë. Audienca që kapin pronarët e mediave me lidhje politike varion nga  65,18 për qind  deri në 75,86 për qind. Shumë gazetarë për shkak të presionit nga pronarët e mediave me interesa politike dhe ekonomke zgjedhin autocensurën.

Sipas studimit 80% e gazetarëve në Shqipëri e konsiderojnë të ulët sigurinë e punës së tyre duke lidhur në mënyrë të qartë kushtet e punës me fenomenin e përhapur gjerësisht të autocensurës, si një mjet mbrojtjeje.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>