Mediat publikojnë fotot e momentit ku pengmarrësit lëvizin trupin e Jak Prengës

Nga Exit News
Mediat publikojnë fotot e momentit ku pengmarrësit lëvizin trupin e Jak Prengës

Top-Channel raportoi sot foto eskluzive nga garazhi i kompleksit Gold ditën kur u mor peng Jak Prenga më 17 janar 2020.

Fotot janë nxjerrë nga videoregjistrimet e kamerave të sigurisë, të cilat faktojnë rrëmbimin e Prengës.

Në foto dallohen dy furgonë dhe një fuoristradë tip Range Rover, e cila u gjet e djegur në rrethinat e Durrësit me 19 janar.

Fuoristrada thuhet se i ishte vjedhur një këngëtareje më 26 nëntor 2019. Gazetarja e Top-Channel, Anila Hoxha, thotë se ajo shihet të hyjë në pjesën e kompleksit Golden. Pranë saj shfaqen disa persona që marrin trupin e pajetë të Jak Prengës dhe e kalojnë atë në furgon.

Ardhja e makinës me të cilën dyshohet se u zhduk trupi i Jak Prengës.

Personat e përfshirë në këtë ngjarje duken teksa ndryshojnë veshjet dhe i fusin në qese të zeza. Sipas Top-Channel, të dyshuarit kanë përdorur solucione kimike për të mos lënë gjurmë gishtash, gjë që është pikasur edhe nga kamerat e sigurisë.

Burime për Top-Channel thanë se të gjitha lëvizjet e të dyshuarve janë faktuar dhe tashmë ato i ka në dispozicion prokuroria.

Momenti ku dyshohet se është zhvendosur trupi i Jak Prengës.

Prenga, baba i 5 fëmijëve, u mor peng më 17 janar në Kamëz. Policia nuk ka mundur t’i gjejë ende trupin edhe pse po kalon rreth 1 muaj nga ngjarja. Dyshohet se ai mund të jetë zhdukur nga pengmarrësit në rrethinat e Shijakut.

Hetimi i kësaj çështjeje i ka kaluar SPAK-ut. Ngjarja, e cila mbetet me shumë pikëpyetje ka 5 të arrestuar:

  1. Leonard Hajri, 36 vjeç, (i dënuar më parë),
  2. Bajram Hajri, 64 vjeç (babai Leonardit)
  3. Elton Hajri, 32 vjeç (nip i Bajramit)
  4. Festim Bexhdili, 30 vjeç (i afërm i familjes Hajri)
  5. Olsi Turja, 36 vjeç (shok i Leonardit)

Në kërkim mbetet Altin Hajri – djali i Bajramit – pronar i Golden Kompleks. Ai është akuzuar për disa vepra penale, mes së cilave edhe për tentativë vrasje. Ndërkohë në një intervistë për mediat, Gramoz Rexhepi, i dyshuar se dha urdhrin e pengmarrjes ka mohuar të ketë lidhje.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>