Qeveria britanike përgënjeshtroi të hënën një agjenci lajmesh ruse, e cila kishte dezinformuar rreth shëndetit të Kryeministrit Boris Johnson.
Johnson, 55-vjeç, u diagnostikua me Covid-19 më 27 mars. Ai u shtrua të dielën në spital me mediat britanike të cilat raportonin se kishte simptoma të lehta.
Por agjencia ruse RIA Novosti raportoi duke cituar burime anonime të sistemit britanik të shëndetësisë se gjendja shëndetësore e Johnsonit ishte e rëndë duke qenë se ai po trajtohej me frymëmarrje të drejtuar nga respiratorë.
Zyra për shtyp e Kryeministrit Johnson e cilësoi raportimin të rremë dhe dezinformues.
“Që kur ka nisur epidemia e koronavirusit, specialistët tanë kanë vënë re rritje të raportimeve të rreme. Eshtë jetësore që informacione të tilla të përgënjeshtrohen shpejtë”.
Në një Twitter postuar pasditën e së hënës, Johson shkroi:
“Mbrëmjen e shkuar, me rekomandimin e mjekut tim, vajta në spital për teste rutinë pasi vazhdoj të ndjej simptoma të koronavirusit. Jam mirë dhe mbeten në kontakt me ekipin tim, teksa punojmë sé bashku për të luftuar këtë virus dhe ruajtur gjithkënd.”
Johnson është shtruar në Spitalin St. Thomas të Londrës. “Është në gjendje të mirë, pas temperaturës dhe kollës së vazhdueshme, ka pasur një mbrëmje të qetë” – shprehet në deklaratën e saj zyra për shtyp.
Megjithatë nga zyra për shtyp nuk janë dhënë detaje të tjera rreth gjendjes së Johnson.
Britania e Madhe ka diagnostikuar mbi 51 600 persona me Covid-19, prej të cilëve rreth 5 400 kanë vdekur.