Mediat zbulojnë tjetër të dyshuar në pengmarrjen e Jak Prengës

Nga Exit News
Mediat zbulojnë tjetër të dyshuar në pengmarrjen e Jak Prengës

Mediat kanë zbuluar sot identitetin e një tjetër personi të dyshuar se ka lidhje me pengmarrjen dhe vrasjen e Jak Prengës.

Top Channel dhe BalkanWeb raportuan se personi me inicialet G.D që u raportua dje për lidhje me 3 bandat në pengmarrje është Gentian Doçi, i cili njihet si biznesmen në Shkodër.

Doçi është një nga 5 personat e shpallur në kërkim. Policia në fakt organizoi sot disa aksione në Shkodër dhe rrethina. Ajo njoftoi gjithashtu se kishte gjetur prova të vlefshme për zbardhjen e krimit.

Ndërkohë Shqiptarja.com raportoi tjetër dinamikë të dyshimeve se si mund të jetë vrarë Prenga, trupi i të cilit nuk është gjetur ende. Prenga dyshohet se është goditur me thikë.

Dinamika e ngjarjes:

Më 17 janar disa persona, të cilët lëviznin me makinë Range Rover të bardhë, marrin peng Jak Prengën, 49 vjeç, baba i 5 fëmijëve. Pengmarrja kryhet paradite, rreth orës 11:00 në Kamëz. Atë e dërgojnë rreth 35 kilometra larg në Golden Kompleks në fshatin Pjezë të Shijakut. Resorti turistik rreth 1,4 hektarësh zotërohet nga familja Hajri.

Keqbërësit e fusin Prengën në garazh duke e dhunuar vazhdimisht. Gjatë pengmarrjes mendohet se ai është goditur edhe me thikë, pasi është përpjekur t’u largohet. Disa orë më vonë atë e kanë nxjerrë dhe futur në një furgon. Lëvizjet janë fiksuar nga kamera të sigurisë. Policia dyshon se në këtë moment Prenga ishte i pajetë dhe grupi po organizonte zhdukjen e kufomës pasi në furgon futen disa persona me lopata.

Disa orë pas ngjarjes automjeti i përdorur nga keqbërësit për pengmarrjen u gjet i djegur në fshatin Shkallnur në Durrës. Makina i ishte grabitur një këngëtareje më 26 nëntor 2019.

Rreth 8 ditë më vonë policia arrestoi Bajram Hajrin, 64 vjeç, Leonard Hajrin 36 vjeç, Elton Hajrin, 32 vjeç, Olsi Turjen, 36 vjeç dhe Festim Bexhdilin 30 vjeç. Askush nuk ka pranuar të flasë.

Turja është pronar i furgonit që u përdor për nxjerrjen e Prengës nga resorti, ndërsa Bexhdili dyshohet se dogji rrobat dhe mori pjesë në zhdukjen e kufomës.

Policia ka shpallur në kërkim Altin Hajrin 35 vjeç, Gentian Doçin, M.Bajri dhe Korado.G. I përfshirë rezulton të jetë edhe Dritan Rexhepi, 40 vjeç, i cili ndodhet i burgosur në Ekuador për trafik kokaine.

Prej disa ditësh policia ka kontrolluar zonën për të gjetur se ku mund ta kenë zhdukur trupin e Prengës. Dyshohet se ai është groposur, por edhe mund të jetë hedhur në lumin Erzen.

Prapaskenat e ngjarjes:

Policia mundi t’i identifikonte disa prej autorëve të ngjarjes vetëm pasi vuri në përgjim telefonat e të afërmve të Jak Prengës.

Pengmarrja dhe vrasja nuk kishte lidhje me Jakun, por me një nga 3 vëllezërit e tij, Astritin, i cili dyshohet se u ka përvetësuar 3 bandave në Angli një sasi prej rreth 280 kilogramësh kokainë. Astriti ka folur me në telefon me disa prej të dyshuarve.

Urdhrin për pengmarrjen dyshohet se e ka dhënë Dritan Rexhepi nga Ekuadori. Rexhepi njihet për vrasje me pagesë dhe për arratisjet nga burgjet e Shqipërisë, Italisë dhe Belgjikës. Është dënuar me 25 vite burg për vrasjen e 2 policëve ndërsa prej vitit 2014 është i burgosur në Ekuador për trafikimin e qindra kilogramëve kokainë.

Ngjarja ngre pikëpyetje se:

  • si vazhdoi pa probleme aktiviteti ekonomik i familjes Hajri në Shijak edhe pse ajo akuzohej që prej vitit 2015 për përfshirje në trafik ndërkombëtar droge;
  • si u shpall i pafajshëm Altin Hajri edhe pse ishte dënuar me 7 vjet burg për tentativë vrasje dhe armë mbajtje pa leje;
  • si u hoq nga lista e të kërkuarve ndërkombëtar Altin Hajri;
  • si nuk po zbulohet asgjë nga linjat e trafikut ndërkombëtar të drogës nga Ekuadori ku qindra kilogramë u kapën edhe në verë;
  • si nuk u zbulua asnjë lidhje e Dritan Rexhepit edhe pse prej 6 vitesh është i arrestuar në Ekuador.

Ngjarja tregon se:

  • grupet shqiptare të narkotrafikut pastrojnë paratë përmes resorteve;
  • grupet e narkotrafikut bashkëpunojnë mes tyre për të larë hesapet;
  • grupet e narkotrafikut kanë mbështetje politike dhe nuk cenohen nga ligji.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>