Në Samitin e Ballkanit Perëndimor të thirrur nga Kancelarja Merkel dhe Presidenti Makron, drejtuesit e dy vendeve kryesore të BE-së bënë të qartë se plani për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të realizohet.
Qëllimi kryesor i takimit ishte që ngrirja e dialogut dhe idetë për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë të diskutoheshin hapur në tavolinë. Në përfundim të samitit, qeveria gjermane deklaroi se këto dy vende pranuan t’i kthehen dialogut të ngrirë qëkur Presidentët Vuçiç dhe Thaçi hodhën idenë e shkëmbimit të territoreve vitin e shkuar. Kjo deklaratë pas samitit duket se i vë kapakun dështimit të planit për shkëmbim territoresh.
Ideja serbe për shkëmbimin e territoreve e dakordësuar me Thaçin, duket se mori vrull pas mbështetjes nga shefja e diplomacisë së BE-së, Federika Mogerini, të tjerë komisionerë të BE-së, Kryeministri Rama, por edhe nga këshilltarë pranë Presidentit Tramp. Megjithatë, Kancelarja Merkel ka theksuar vazhdimisht gjatë këtyre muajve se ideja është e rrezikshme dhe se Gjermania nuk do të jetë dakord me ndonjë plan të tillë.
Mes hovit që kjo ide mori në opinionin publik ndërkombëtar, qeveritë e Merkelit dhe Makronit i kishin shqyrtuar më herët hollësitë, pritshmëritë dhe rreziqet për secilin variant të përfolur për shkëmbimin e territoreve. Burime nga parlamenti gjerman i thanë Exit.al se Kancelarja Merkel ishte njohur me variante të ndryshme të idesë, të përcjella nga palë me interesa të ndryshme. Këto burime thanë se Merkel e konsideron çfarëdo plani të tillë si të papranueshëm.
Deklarata e qeverisë gjermane pas samitit e bëri të qartë se tashmë palët do të punojnë për t’iu kthyer dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Plani serb, megjithë mbështetësit e tij, duket se rezultoi të përkeqësonte marrëdhëniet mes palëve për shumë muaj, ngriu dialogun, konsumoi kohë dhe burime dhe në fund dështoi. Pa mbështetjen e Gjermanisë dhe Francës cilado ide për shkëmbim territoresh mes dy vendeve është e pamundur. Tani Kosova dhe Serbia duhet fillimisht të punojnë për çtensionimin e situatës dhe të krijojnë kushtet për t’iu kthyer dialogut atje ku e kishin lënë përpara se Vuçiçi dhe Thaçi të merreshin vesh për planin e tyre.
Një tjetër qëllim i samitit ishte edhe t’i tregonte vendeve të Ballkanit Perëndimor se ato e kanë vëmendjen e BE-së. Në kushtet aktuale gjasat janë të mëdha që sërish këtë vit të refuzohet hapja e negociatave me Shqipërnë dhe me Maqedoninë e Veriut. Gjithashtu, pritet të mos jepet një perspektivë e qartë kohore për anëtarësimin e Serbisë dhe Malit të Zi në BE. Kjo lidhet kryesisht me dështimet e qeverive të Ballkanit në procesin e integrimit, por edhe me dyshimet e europianëve për dobinë e zgjerimit aktual të BE-së, si edhe me zgjedhjet për në Parlamentin Europian. Në këto kushte, samiti synoi t’u tregonte këtyre vendeve se, pavarësisht vendimeve të BE-së këtë qershor, Gjermania dhe Franca mbështesin perspektivën për integrimin e rajonit në BE.
Deri tani qeveria shqiptare nuk ka njoftuar mbi synimet e saj nga ky samit apo për rezultatet e arritura. Të vetmet reagime ishin postimet në rrjetet sociale të Zëvendës-Ministrit Cakaj dhe të Kryeministrit Rama. Cakaj njoftoi se takimi me Merkelin kishte konfirmuar mbështetjen e Gjermanisë për integrimin e Shqipërisë në BE. Ndërsa Rama sulmoi sërish median dhe e akuzoi atë se kërkonte dështimin e Shqipërisë dhe të dialogut Kosovë-Serbi. Më tej ai garantoi se Shqipëria dhe dialogu nuk do të dështojnë.
Në mesazhin e tij në rrjetet sociale, Kryeministri nuk e përmendi mbështetjen e tij të shprehur më herët për një ndryshim të mundshëm të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.
Pavarësisht vendimit të Këshillit Europian në qershor për ecurinë e mëtejshme drejt BE-së të të katër vendeve të rajonit, ajo që duket qartë është se samiti në Berlin i dha fund idesë së Vuçiçit dhe Thaçit, mbështetur nga Mogerini dhe Rama, për shkëmbimin e territoreve.