Merkel konfirmon: Nuk ka negociata, do t’i rikthehemi çështjes vitin tjetër

Merkel konfirmon: Nuk ka negociata, do t’i rikthehemi çështjes vitin tjetër

Kancelarja Merkel konfirmoi lajmin e raportuar nga Komisioneri Hahn se Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk do t’i hapen negociatat këtë vit.

Duke folur pas samitit të drejtuesve të BE-së, Merkel tregoi me keqardhje se liderët nuk kishin arritur një marrëveshje për asnjë nga dy vendet kandidate nga Ballkani Perëndimor.

Gjermania ishte një nga vendet mbështetëse për nisjen e bisedimeve për integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Megjithëse kishte kritikat e saj, parlamenti gjerman pati vendosur 9 kushte paraprake që Shqipëria duhet t’i përmbushte përpara nisjes së procesit teknik. Edhe pse kjo u mbështet nga pjesa më e madhe e vendeve anëtare, nuk ka gjetur dakordësinë e Francës.

Merkel tha se binte dakord me Macron se “Bashkimi Evropian dhe vetë procesi i zgjerimit kishte nevojë për t’u reformuar”, por gjithashtu ajo theksoi se “nisja e bisedimeve ishte një proces i premtuar prej vitesh ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut” dhe se “ky proces nuk do të thoshte anëtarësim direkt në BE”.

Në deklaratën e saj Merkel pëmrendi disa nga reformat që ishin bërë në Shqipëri dhe Maqedoninë e veriut, si për shembull reforma në drejtësi apo marrëveshja e Prespës Maqedoni e Veriut-Greqi. Por që ajo tha se këto nuk mjaftuan për t’i bindur udhëheqësit e vendeve anëtare.

Për vazhdimësinë e procesit kancelarja gjermane tha:

Do të vazhdojmë të diskutojmë këtë temë dhe kemi rënë dakord që para samitit e Zagrebit do t’i rikthehemi kësaj çështjeje”.

Samiti i Zagrebit parashikohet të mbahet në muajt prill-maj të vitit 2020.

Zonja Merkel u pyet nga gazetarët se “çfarë mendonte rreth stepjes që kanë në Gjermani kundrejt negociatave prej faktit se bandat shqiptare po përfshihen gjithmonë e më shumë në krimin e organizuar atje” dhe se “çfarë u thoshte ajo si mbështetëse e Shqipërisë vendeve të tjera për të nisur bisedimet pavarësisht këtyre raportimeve”. Kancelarja u përgjigj duke iu shmangur pyetjes rreth kriminalitetit:

“Nuk bëhet fjalë për anëtarësim direkt, por për nisje bisedimesh. Gjithmonë e kam thënë se ua kemi premtuar (shqiptarëve) prej vitesh. Për Shqipërinë, duhet të shohim kompleksitetin e problemeve që ka patur. Në fushën e emigracionit të paligjshëm kemi mundur t’i tejkalojmë këto probleme duke punuar me ta dhe Shqipëria po i merr mbrapsht ata që kanë shkelur ligjin dhe rregullat e qëndrimit. Për ata që janë të aftë, ne kemi nevojë për punonjës të aftë dhe kjo marrëveshje (për krahun e punës) ka treguar se funksionon. Prandaj mendoj se duhet të tregohemi të drejtë me ato çfarë premtojmë dhe të mbetemi të besueshëm për këtë rajon (Ballkanin Perëndimor) që e kërkon integrimin në BE”.

Në vitin 2015, numri i lartë i kërkesave për azil nga Shqipëria shtynë Gjermaninë që të niste diskutimet me Shqipërinë për një fushatë ndërgjegjësimi se “në Berlin nuk ofrohej azil ekonomik“.

Viti 2015 shënoi numrin më të lartë të azilkërkuesve shqiptarë në këto 10 vitet e fundit me 68,945 aplikime, pjesa më e madhe e të cilëve pati përgjigjie negative dhe iu drejtua vendeve si Gjermania apo Franca. Prej asaj periudhe Gjermania ka ndryshuar politikat e saj kundrejt emigrantëve duke mundësuar programe punësimi kryesisht për mjekë, infermierë apo fizioterapistë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>