
Prishja e godinës së Teatrit Kombëtar, një vit më parë nga qeveria, u bë në shkelje të të drejtave të njeriut, u shpreh arkitektit Kreshnik Merxhani, në një intervistë për emisionin ‘Me pak Fjalë’, në Euronews..
Merxhani u shpreh se godina e Teatrit Kombëtar ishte një objekt me të cilin një komunitet vetëidentifikohej dhe si i tillë, ai nuk duhej prishur:
“E drejta për kulturë lidhet ngushtësisht edhe me objektin me të cilin komuniteti vetëidentifikohet”.
Ai sqaroi se prishja e monumenteve të kulturës, gjatë Luftës së Dytë Botërore, në shkelje të të drejtave të njeriut dhe të ligjeve, njësoj si me rastin e teatrit ishte arsyeja e krijimit të UNESCO.
“Targetimi i trashëgimisë kulturore nuk bëhet vetëm në konflikte të armatosura por edhe në kohë paqeje. Ndonjëherë trashëgimia targetohet për të ulur dinjitetin e një komuniteti”, u shpreh Merxhani.