Mes Papa Françeskos dhe Paris Hiltonit

Nga Bildo
Mes Papa Françeskos dhe Paris Hiltonit

Ai vesh kostume të qepura me dorë nga një rrobaqepës i Romës që vjen posaçërisht në Tiranë për t’i marrë masat dhe bërë provat; dhuron butona këmishe me inicialet e tij të gdhendura në ta; udhëton nëpër botë me avionë charter, që nuk dihet se kush i paguan, për të inaguruar ekspozita me skicat e tij ngjyra-ngjyra; investon ato pak para që ka buxheti për të ndërtuar ishuj fallso, me qëllimin që të hyjë në histori, apo kulla në mes të qyteteve për të lënë shenjën e tij në to; jeton në një vilë luksoze të ndërtuar me “kontribute vullnetare” të klientëve të tij; ndjek indiferent mërgimin e mijëra të varfërve “mosmirënjohës” që nuk duan të jetojnë vetëm me dekor; shoqërohet me disa nga kontrabandistët më të pasur të Ballkanit, të cilët i mbulon me favore për t’u treguar që është ai më i fuqishmi se ata të gjithë; nxehet me ata që guxojnë t’i kujtojnë që varfëria është duke u rritur; politikanëve e diplomatëve të huaj u tregon me krenari pikturat e tij të ekspozuara në një godinë qeveritare të transformuar në një klub privat për t’i shërbyer tekave të tij dhe të klientëve të tij.

Por ai citon pandërprerje, në mënyrë të qëllimshme, Papa Françeskun, të cilin e priti në Tiranë si një rock star të vërtetë, duke inskenuar një shfaqje publike në qendër të së cilës vuri veten për të ushqyer kështu mitin e personit të tij.

Por Papa Françeskun nuk e ka krijuar ai, dhe Papa ndjek rrugën e tij, rrugën e përkushtimit e devocionit shpirtëror, duke përsëritur, edhe në Meshën e Krishtlindjes, mesazhin të cilin udhëheqësit si ai nuk duan ta dëgjojnë:

“Në një shoqëri kaq shpesh të dehur nga konsumi i shfrenuar e kënaqësitë fizike, pasuria dhe lluksi, prirja për t’u dukur dhe narçicizmi, [Krishti] na thërret të sillemi në mënyrë të kthjellët, që do të thotë, në mënyrë të thjeshtë, të ekuilibruar, të qëndrueshme, të aftë për të kuptuar dhe hetuar gjërat thelbësore… Mes kulturës së indiferencës, që jo rrallë kthehet në një kulturë të pamëshirshme, stili jonë i jetës duhet të jetë i devotshëm, i mbushur me ndjeshmëri ndaj të tjerëve, me dhembshuri e mëshirë.”

Ai do të bënte mirë të dëgjonte Papën e t’i përkushtohej popullit që e zgjodhi dhe vlerave të vërteta. Por ai nuk dëgjon, as kupton dot çfarë është thelbësore, sikurse predikon Papa. Ato që thotë Papa atij i shërbejnë vetëm si citate për fjalimin e rradhës, teksa i flet papushim çdo ditë popullit të tij dhe mbarë botës. Për të, Papa nuk është burim besimi, as frymëzimi, as reflektimi.

Jetën e tij ai nuk e jeton nën shembullin e Papës, por të Paris Hiltonit e Lady Gagës. Ndaj ndershmëria do e donte që të pushonte së cituari Papa Françeskun e të fillonte të citonte Paris Hiltonin.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>