Mësuesit në Shqipëri në pikëpyetje për t’u vaksinuar me AstraZeneca

Nga Exit News
Mësuesit në Shqipëri në pikëpyetje për t’u vaksinuar me AstraZeneca

Një pjesë e mësuesve në disa qytete të Shqipërisë kanë refuzuar të vaksinohen me AstraZeneca pas debateve mbi këtë vaksinë.

Shqipëria ka nisur vaksinimin e mësuesve pak ditë më parë me AstraZeneca, fill pasi një pjesë e madhe e vendeve europaine nisën ta pezullonin vaksinimin.

Qeveria ka thënë se nuk do të pezullohet vaksinimi.

Raportimi i disa rasteve me mpiksje gjaku pasi kishin marrë vaksinën bëri që shumë vende të bllokojnë AstraZeneca dhe të lind një debat për efektivitetin e saj.

Media lokale “Bulqiza ime”  raporton se janë vaksinuar vetëm 162 mësues në Bulqizë dhe 21 në Mat dhe thekson se një pjesë e mësuesve nuk kanë pranuar të vaksinohen.

Autoritetet Shëndetësore në Dibër bëjnë me dije se, mësuesit që refuzojnë bërjen e vaksinës sipas planifikimit, mund ta bëjnë atë në një kohë tjetër, raporton “Bulqiza ime”.

Raste të ngjashme ka pasur edhe në Shkodër, ku një pjesë e mësuesve kanë hezituar të vaksinohen me AstraZeneca.

Sindikata e Pavarur e Arsimit të Shqipërisë ka ngritur shqetësimin në lidhje me vaksinimin e mësuesve me AstraZeneca.

Në një deklaratë për mediat Sindikata i kërkon “MASR,Qeverisë dhe Komitetit të Ekspertëve, që nëpërmjet specialisteve të qartësojnë situatën duke shpjeguar në rruge shkencore problematikat shëndetësore që mund të shkaktojë vaksina në persona të veçantë”.

Sindikata ka kërkuar ndërprerjen e vaksinimit të mësuesve në shkolla e palestra dhe ka sugjeruar që të bëhet në qendra shëndetësore.

Vaksinimi të bëhet pas aprovimit të mjekut të familjes ka kërkuar Sindikata. Po ashtu ka bërë thirrje që të mos ushtrohet presion ndaj mësuesve që nuk dëshirojnë të vaksinohen.

Opozita në vend ka kërkuar po ashtu që të pezullohet vaksinimi me AstraZeneca pas lajmit që shumë vende në BE ndoqën të njëjtën rrugë.

Por Agjencia Evropiane e Barnave, theksoi të enjten se nuk kishte asnjë të dhënë që vaksina po shkakton mpiksjen e gjakut, duke shtuar se beson se përfitimet e vaksinës “vazhdojnë të tejkalojnë rreziqet e saj”.

Po ashtu edhe OBSH ka këshilluar që të vijohet me vaksinimin duke shtuar se nuk ka asnjë provë që të vërtetojë lidhjen e mpiksjes së gjakut me vaksinimin.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>