Meta akuzon qeverinë se gënjeu për rrugën e Selenicës: Asnjë fond i parashikuar në buxhet

Nga Exit News
Meta akuzon qeverinë se gënjeu për rrugën e Selenicës: Asnjë fond i parashikuar në buxhet

Procedurat për financimin e rrugës Vlorë – Orikum kanë parregullësi ligjore ka thënë sot Presidenti Ilir Meta, ndërsa shtoi se me anulimin e projektit të rrugës Peshkëpi – Selenicë, qeveria ka gënjyer Kuvendin, presidentin dhe qytetarët.

Gjatë një konference për shtyp nga Selenica, Meta iu rikthye çështjes së rrugës së lumit të Vlorës dhe asaj që lidh Vlorën e Orikumin, për të cilën u akuzua nga kryeministri Rama se e ka bllokuar duke mos dhënë autorizimin për plotfuqinë.

Meta sqaroi se fondet për rrugën Peshkëpi – Selenicë, e cila financohej nga një hua e Fondit Saudit, janë tërhequr me kërkesë të institucioneve shqiptare për të financuar projektin e rrugës Vlorë – Orikum. Por nga ana tjetër sipas presidentit, qeveria ishte zotuar se do të përfundonte lotin e 4 të Peshkëpi – Selenicë me fonde nga buxheti i shtetit.

Presidenti ka studiuar relacionin e Kuvendit, dhe në relacion ishte i qartë angazhimi i qeverisë se këto fonde hiqeshin pasi do përdoreshin në projekt tjetër. Ndërsa projekti i Selenicës do financohej nga buxheti i shtetit. S’kishim arsye se parlamenti e qeveria po gënjente Presidentin. Fakti është që ne kemi kthyer edhe buxhetin, nuk ka asnjë qindarkë për projekt të anuluar të anashkaluar. Revolta dhe pakënaqësia e banorëve është e drejtë. Ka qenë projekt i gatshëm, financim i sigurt, por premtim i bërë disa herë. Shpreh mbështetjen time për realizimin e këtij projekti qoftë buxhetit qoftë financim të huaj.”

Gjatë një vizite në Selenicë ku takoi dhjetra banorë, të hënën, Meta tha se të gjithë ishin njëzëri në kërkesën kryesore, ndërtimin e rrugës.

Sa për projektin e rrugës Vlorë – Orikum, Meta ripërsëriti se ka shkelje të Kushtetutës në procedurat e financimit.

Meta pretendon se ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, ka shkelur Kushtetutën, pasi komunikimi me investitorin, Fondin Saudit, nuk është bërë nga vetë ajo, por nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Më herët presidenti ka akuzuar qeverinë se ka shkelur Kushtetuën, pasi sipas tij për negociatat mes qeverisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim, nuk është marrë autorizimi i tij.

Ndërkohë Kryeministri Edi Rama ka akuzuar presidentin Ilir Meta për bllokimin e financimit të rrugës Vlorë-Orikum.

Presdidenti Meta ka adresuar disa herë si shkelje të Kushtetutës rastin e rrugës Vlorë-Orikum, me shkresa drejtuar ministrisë si dhe me dalje mediatike.

Ndërkohë ndaj akuzave të presidentit dhe shkresave që ai i ka dërguar ministres Denaj, ajo është shprehur e befasuar.

Sipas saj, qeveria nuk ka negociuar më me Fondin Saudit pasi negociatat ishin zhvilluar më parë kur ishte dhënë huaja për rrugën.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>