
Presidenti Ilir Meta i bëri apel qeverisë që të sigurojë sa më parë strehim të sigurt për të gjitha ato familje që humbën shtëpitë një vit më parë, si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit.
Në një deklaratë në kujtim të 51 viktimave të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit, Meta theksoi se ‘një vit më pas, është e papranueshme, që ende nuk është garantuar një strehim i sigurt për shumë familje të goditura më rëndë nga tërmeti.’
“Kushtet e vështira ku jetojnë shumë prej tyre i ekspozojnë edhe më shumë ndaj pandemisë,” shtoi presidenti.
Po ashtu, Meta i bëri apel institucioneve të drejtësisë që të tregojnë kush mbajti përgjegjësi për cilësitë skandaloze të shumë pallateve dhe pronave të qytetarëve.