Meta: asgjësimi i llogaridhënies së pushtetit i shërben vetëm pakicës

Meta: asgjësimi i llogaridhënies së pushtetit i shërben vetëm pakicës

Presidenti Ilir Meta ka paralajmëruar edhe njëherë se nëse situata politike nuk ndryshon deri më 18 tetor, atëherë përgjigjia, për sa i përket procesit integrues të vendit në Bashkimin Evropian, do të jetë sërish negative.

Në një status në profilin e tij Facebook, Presidenti Meta shprehet se negociatat mund të mos hapen sërish dhe kjo për faktin se palët politike mbeten të polarizuara dhe nuk bashkërendojnë për zgjidhjen e krizës.

Polarizimin Meta e sheh te koncepti i fitores që partitë ndajnë. Ai thotë se “socialistët kanë fituar 100 për qind të Bashkive, ndërsa opozita ka fituar 85% të elektoratit që nuk shkoi në zgjedhje”.

Këtë gjendje Presidenti e cilëson “penalizues për të ardhmen e vendit, pasi jo vetëm garanton një disfatë në 18 tetor për çeljen e negociatave, por lë pa mbrojtje nga të drejtat e tyre të gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët jetën e tyre të përditshme e kanë aq të lidhur me shërbimet e pushtetit vendor”.

Meta thekson:

“Asgjesimi i llogaridhënies së pushtetit vendor (pas atij qendror), i shërben vetëm pakicës që nuk njeh rotacion dhe të përzgjedhurve të saj për të administruar çdo pushtet, pasuri dhe pronë publike, në mënyrë arrogante dhe të pakontrolluar. Viktimat e këtyre “fitorjeve” janë të gjithë qytetarët shqiptarë pa dalllime partiake”.

Ky reagim i Presidentit Meta vjen pak ditë pasi anëtarët socialistë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, bojkotuan mbledhjen që do të shqyrtonte kërkesën e disa partive opozitare për nisjen e procedurave të zhvillimit të zgjedhjeve vendore të 13 tetorit.

LSI, Partia Agrare dhe ajo Republikane i patën kërkuar KQZ-ës, zbatimin e dekretit të Presidentit Meta, i cili e ka anuluar datën 30 qershor si datë zgjedhjesh vendore që pa u mbajtur ato.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>