Presidenti Meta, kallëzoi sot në Prokurorinë e Posaçme Anti-korrupsion (SPAK) Ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe 2 zyrtarë të tjerë për shkelje të Kushtetutës gjatë zgjedhjes së një prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese (GJK). Ministrja replikoi duke thënë se do ta linte drejtësinë të përgjigjej, ndërsa zëdhënësi i Presidentit e komentoi këtë deklaratë me ironi.
Presidenti kallëzoi sot Ministren Gjonaj, Sekretarin e Ministrisë, Fehmi Deva dhe drejtorin e Qendrës së Botimeve Zyrtare Admir Haxhia për: shpërdorim detyre; ushtrim të ndikimit; falsifikim dokumentash; përvetësim kompetencash.
Meta e dorëzoi personalisht kallëzimin dhe tha për mediat se:
“[…] nuk ka ndodhur ngjarje më e rëndë në historinë e shtetit se sa ky akt mafioz, ku […] rezulton e përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë, edhe celula e strukturuar në krye të Ministrisë së Drejtësisë, që përmes shkeljes së Kushtetutës, dhunimit të ligjeve dhe përmes falsifikimeve, ka tentuar grusht shteti duke rrëmbyer haptazi një kompetencë që Kushtetuta ia jep vetëm Presidentit, me qëllim shndërrimin e GJK, nga garante e të drejtave të qytetarëve, në një polici anti-kushtetuese për të dhunuar të drejtat e tyre”.
Ministrja Gjonaj reagoi në Twitter duke kritikuar Presidentin për faktin se e dorëzoi personalisht kallëzimin. Ajo theksoi se do t’i përgjigjet çështjes në rrugë ligjore:
“[…] në respekt të Kushtetutës dhe pozicionit tim me Presidentin, reagimi do të jetë institucional […] e siguroj se jam gati t’i përgjigjem jo vetëm SPAK-ut por dhe atij vetë publikisht, institucionalisht dhe ligjërisht, me kulturë dhe etikë”.
Gjonaj e quajti sërish absurde çështjen. Ajo ironizoi Metën se duke e kallëzuar atë njohu zyrtarisht institucionet e reformës në drejtësi:
“[…] të cilën ai u lodh aq shumë duke e luftuar dhe përbaltur atë dhe cilindo që punon me të, shqiptarë dhe ndërkombëtar”.
Ministrja replikoi ndaj Presidentit se shpresonte që ai ta pranonte punën e institucioneve të reja edhe kur ato “të godasin në shenjat e njohura të Shqipërisë për korrupsion dhe krime ndaj vendit”. Në këtë pikë ajo nënkuptoi akuzat e shkuara ndaj Metës për korrupsion.
Këtij komenti iu përgjigj zëdhënësi i Metës, Tedi Blushi. Me një postim në Facebook ai ironizoi:
“Edhe falsifikatore edhe krenare! Ti qofsh moj çupë!”
Për çështjen e emërimeve në GJK Presidenti ka drejtuar edhe 2 kallëzime ndaj Kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani. Presidenti i akuzon për kapje të shtetit.
Më herët Meta sqaroi për qytetarët “8 hapat e grushtit të shtetit” nga vjedhjet e votave në Dibër e Durrës e deri te ndryshimet ligjore për betimin e anëtarëve të GJK.