Meta: Gjykata Kushtetuese nuk mund t’i legjitimojë zgjedhjet e 30 qershorit

Nga Gerard Gega
Meta: Gjykata Kushtetuese nuk mund t’i legjitimojë zgjedhjet e 30 qershorit

Presidenti Ilir Meta iu përgjigj sot Kuvendit rreth dekreteve të tij në lidhje me zgjedhjet. Ai theksoi se dekretet e tij kanë qenë në përputhje me Kushtetutën. Ato nuk janë anuluar dhe 30 qershori nuk mund të legjitimohet as nga Gjykata Kushtetuese e re pasi vendimet e saj nuk kanë efekt prapaveprues.

Më 19 korrik parlamenti i kishte dërguar një letër presidencës për të kërkuar qartësi në lidhje me dy dekretet rreth zgjedhjeve. Njërin që anuloi datën 30 qershor dhe tjetrin që shpalli datën 13 tetor si datë ku qytetarët do të duhet të votojnë.

Presidenti Meta është përgjigjur duke thënë se ndërhyrja e tij për të shtyrë datën e zgjedhjeve të 30 qershorit ishte e nevojshme “për të garantuar unitetin, mbrojtjen e vlerave demokratike, për të ulur tensionet dhe për t’i dhënë kohë palëve për dialog gjithëpërfshirës për zgjidhjen e krizës politike”.

Ai thotë se dekreti “synonte ndërprerjen e një procesi zgjedhor fiktiv dhe në kundërshtim me parimet demokratike, i transformuar praktikisht në një proces votimi, pa garë dhe pa alternativa, në kundërshtim me Kushtetutën”.

Në letrën e tij Presidenti ka rikujtuar rastet e ngjashme të shtyrjes së datës së zgjedhjeve në vitin 1990, 2006 dhe 2017 për zgjedhjet e pjesshme vendore në Kavajë dhe zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit.

Presidenti thekson se dekreti për shtyrjen e zgjedhjeve ishte në përputhje me Kushtetutën dhe se shqyrtimi i tij nuk u bë nga Gjykata Kushtetuese, i vetmi organ ky, që mund të shqyrtojë kushtetueshmërinë e dekreteve, kompetencë, të cilën Presidenti rikujton se e ka shprehur qartë edhe OSBE/ODIHR-i në raportin për zgjedhjet.

Rezoluta e 13 qershorit dhe nisja e procedurave për ngritjen e një Komisioni Hetimi Parlamentar që synon shkarkimin e tij, sipas Presidentit ishte një proces që “ofroi mbështetje ndaj KQZ-ës për të realizuar një process antikushtetues votimesh”. Për këtë Meta thotë:

I gjithë ky proces i nisur nga Kuvendi është fiktiv, i palegjitimuar, i gabuar dhe për më tepër, pa asnjë objekt konkret të veprimtarisë së tij.

Duke folur për Gjykatën Kushtetuese Meta thekson se ajo nuk mund të legjitimojë zgjedhjet e 30 qershorit pasi vendimet nuk kanë efekte prapavepruese dhe dekretet e shpallura prej tij janë në fuqi:

“Cilido qoftë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ai do të ketë vlerë vetëm për të ardhmen dhe mund të ndikojë për sjelljen e Presidentit në situata të ngjashme, por kurrsesi ky vendim nuk mund të ketë efekt prapaveprues për të legjitimuar procesin e votimeve joshtetërore, vetëm me një konkurrent tashmë siç është realizuar më 30 qershor 2019, kjo sepse Dekreti i Presidentit të Republikës nr.11199, datë 10.06.2019 për anulimin e datës së zgjedhjeve më 30 qershor dhe Dekreti nr. 11211, datë 27.06.2019 për caktimin e datës 13 tetor 2019, si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve për pushtetin vendor, janë në fuqi dhe tashmë 30 qershori si datë kalendarike për zgjedhje, është djegur të paktën për këtë vit”.

Dekretin që shpalli 13 tetorin si datë zgjedhjesh, Presidenti Meta e cilëson si “një mundësi për të garantuar zgjedhje gjithëpërfshirëse dhe një mundësi për të garantuar të ardhmen evropiane përpara se Këshilli i Bashkimit Europian të vendosë për çeljen e negociatave të anëtarësimit, më 17-18 tetor 2019”.

Meta e përfundon letrën e tij duke iu adresuar personalisht kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçit, të cilit i kërkon që të ndërhyjë:

“Nuk hezitoj t’ju kërkoj që të ndihmoni Kryeministrin dhe Kryetarin e Partisë Socialiste të mos krijojë precedentin më absurd në historinë e vendeve ish-komuniste atë të asgjësimit të Partisë Demokratike, jo vetëm si forca kryesore opozitare sot, por edhe si forca e parë opozitare pro atlantike dhe pro europiane e vendit tonë”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>