Meta i drejtohet Komisionit të Venecias për emërimet në Gjykatën Kushtetuese

Nga Exit News
Meta i drejtohet Komisionit të Venecias për emërimet në Gjykatën Kushtetuese

Presidenti Ilir Meta i ka kërkuar Komisionit të Venecias shqyrtimin e shkeljeve të pretenduara për emërimin e dy anëtarëve të fundit në Gjykatën Kushtetuese.

Përmes një postimi në Facebook, Tedi Blushi, zëdhënës i Presidentit, tha:

“Venecia gjithmonë e mirëpritur. Sot Presidenti Meta i është drejtuar zyrtarisht Komisionit të Venecias lidhur me shkeljet kushtetuese dhe ligjore që ka bërë Kuvendi me zgjedhjet e dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Nesër do të publikohen në faqen zyrtare të Kreut të Shtetit, kërkesa e Presidentit Meta për Komisionin e Venecias dhe pyetjet konkrete drejtuar atij”.

Emërimet e Arta Vorpsit dhe Marsida Xhaferllarit kanë krijuar ngërç në Gjykatën Kushtetuese. Secila pretendon të njëjtin vend, njëra e zgjedhur nga Parlamenti dhe tjetra nga Presidenti. Presidenti Meta e fajësoi me disa video kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi Ardian Dvoranin si përgjegjës për situatën, pasi ai i ka dërguar dy herë në të njëjtën ditë listat e kandidatëve për dy vende vakante.

Presidenti e paditi Dvoranin për “shpërdorim detyre” dhe“përvetësimin e kompetencës së detyrës shtetërore”, por Prokuroria e Tiranës shpalli moskopetencë.

Komisionit të Venecias i janë drejtuar më parë edhe socialistët. Ata kërkuan shqyrtimin e çështjes për shkarkimin e Presidentit. Mazhoranca ka synuar shkarkimin e Metës për shkak të dekreteve që anuluan dhe shtynë zgjedhjet vendore nga 30 qershori më 13 tetor 2019.

Komisioni u shpreh se Presidenti tejkaloi kompetencat duke anuluar zgjedhjet e 30 qershorit, megjithatë theksohej se kjo nuk ishte e mjaftueshme për ta shkarkuar. Pavarësisht se kritikat u minimizuan, socialistët kanë vazhduar me procedurat e shkarkimit të Presidentit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>