Pas thirrjes në Twitter nga ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë “për nevojë urgjente për dialog”, Presidenti Ilir Meta i ka drejtuar atij 10 pyetje publike duke i vënë në diskutim punën e kryer gjatë kësaj periudhe.
Presidenti, fillimisht, e falenderoi ambasadorin Soreca për thirrjen për dialog dhe pasi i shtroi atij pyetjet e mëposhtme, i ka rikujtuar ambasadorit qendrimet e bëra nga zëvendës kryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU në Bundestagun gjerman, Johann Wadephul, i cili është shprehur se “nëse nuk pranohet vendimi i Presidentit çdo gjë tjetër është joevropiane”.
Pyetjet e Presidentit Meta për Ambasadorin Soreca ishin:
- A ishit ju realisht për nxitjen e dialogut mes palëve më parë Z. Ambasador?
- A morët ju ndonjë nismë konkrete për vendosjen e këtij dialogu mes palëve?
- A i kërkuat ju mbështetjen Presidentit për dialog, me qëllim që t’ja kursenim shfaqjen e shëmtuar të 30 qershorit Shqipërisë dhe së ardhmes së saj europiane?
- A e dini ju që Presidenti mori një nismë për anullimin e zgjedhjeve me qëllim vendosjen e dialogut mes palëve?
- Përse nuk e mbështetët ju Presidentin në këtë inisiativë publikisht?
- A e dini ju që në 24 maj 2019 përfaqësuesit zyrtarë të grupit kryesor në Bundestag, deputetët Wadephul dhe Schmidt, përmes një qëndrimi zyrtar kërkuan vendosjen urgjent të dialogut për zgjidhjen e krizës, madje u ofruan për moderimin e këtij dialogu me qëllimin e mirë për të ndihmuar në çeljen e negociatave të anëtarësimit me BE-në dhe theksuan edhe rëndësinë e një date të re për zgjedhjet vendore, që të ishin demokratike dhe gjithpërfshirëse, si domosdoshmëri për të ndihmuar çeljen e negociatave?
- A e dini ju që Presidenti menjëherë reagoi duke mbështetur këtë nismë dhe tregoi vullnetin e tij për të dekretuar një datë të re të zgjedhjeve, pas dakordësimit të palëve?
- A e dini ju që Presidenti i Republikës ka dekretuar datën 13 tetor 2019, për zhvillimin e zgjedhjeve lokale gjithpërfshirëse? Çfarë qëndrimi keni ju?
- A e keni sqaruar Z. Rama se zgjedhjet pa opozitën nuk plotësojnë Kriteret e Kopenhagut, shkelin parimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe pamundësojnë çeljen e negociatave të anëtarësimit në tetor 2019?
- A e dini ju që, po dje Presidenti ka theksuar, duke patur parasysh rëndimin e krizës politike në vend, që 13 tetori 2019 të jetë jo vetëm data e zgjedhjeve lokale, por edhe e atyre parlamentare dhe presidenciale, për t’i dhënë fund njëherë e mirë kësaj krize të thellë dhe të gjithanshme të përfaqësimit në vend?
Pas këtyre pyetjeve Presidenti i pohon ambasadorit Soreca se “një nga shqetësimet dhe vërejtjet e mia për delegacionin e BE-së gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë se nuk ka bërë përpjekjet më të mira për të nxitur një dialog real midis palëve”.